Konsumatori kosovar gjendet përballë një marketingu agresiv dhe të ekzagjeruar.

Konsumatori kosovar jo rrallë herë gjendet përballë një marketingu agresiv dhe të ekzagjeruar. Në fletushkat e shumta, të cilat shpërndahen kudo në vende ku qytetari mund t’i gjejë, shfaqen çmime të produkteve të ndryshme që tregojnë se janë çmime më të lira dhe me zbritje të mëdha.

Kështu, të paktën, thonë qytetarët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë dhe përfaqësues të Organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Dyqane të shumta, të cilat merren me shitjen e produkteve të ndryshme, tregojnë përmes fletushkave se kanë çmime më të lira dhe zbritje, por jo çdo herë ato çmime janë të sakta apo edhe produktet e tilla mund t’i blesh me ato çmime, thotë Njomza Riza, qytetare.

“Te fletushkat që çdo herë i sheh para banesës, të interesojnë t’i shfletosh dhe të shohësh se çfarë produktesh ka. Shumë herë thonë se ka çmime të lira dhe në zbritje, por kur shkon për t’i blerë, ato çmime nuk janë, apo ndoshta ai produkt i cili në fletushkë shfaqet të jetë i lirë, kur të shkosh nuk është fare”, thotë Njomza.

Marketingu në fletushka nga kompani të ndryshme tregtare shumë herë bëhet edhe në mënyrë joprofesionale dhe me gabime të shumta, shprehet Arlinda Zajmi, një qytetare tjetër.

“Po ka pasur raste kur, sipas fletushkave ka pasur zbritje, kurse në dyqan kur kam shkuar, nuk ka vlejtur ajo zbritje. Madje ka pasur raste kur tek arka, kur e kam krahasuar çmimin me atë të fletushkës, në faturë ka figuruar ndryshe. Po ashtu në fletushka jepet marketing ‘ paguaj një e tjetrën e merr falas’, por ka ndodhur që kanë thënë se artikulli që jepet falas, ka mbaruar”, tregon Arlinda.

Përfaqësues të Organizatës joqeveritare“Konsumatori”, ndërkaq thonë se ka manipulime të mëdha me çmime nga dyqane tregtare. Kryetari i kësaj organizate, Selatin Kaçaniku, shprehet:

“Është shumë evidente që ka mashtrime, pasi që është e pamundur që çmimet të zbriten deri në 70 apo 80 për qind, janë të pamundshme. Ata në shikim të parë vërehet se janë çmime mashtruese”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Kaçaniku.

Por, sipas tij, kjo dukuri e cila është mjaft e përhapur në Kosovë dhe e cila po e mashtron konsumatorin, duhet të hetohet nga mekanizma adekuat.

Ai thotë kanë ftuar inspeksionet dhe prokuroritë, e në veçanti inspektorët e financave, që t’i hetojnë këto zbritje, të cilat shprehin mashtrime dhe po ashtu konkurrencë jo të drejtë.

“Manipulimet pareshtur vite me radhë që i janë bërë konsumatorit, nuk guxojnë të kalojnë pa u ndëshkuar”, vlerëson Kaçaniku./rel

Artikulli paraprak30 mijë vizitorë brenda ditës në QKUK
Artikulli vijuesSHBA: Kampanjë për kuptimin "e vërtetë" të xhihadit