Kosova vend ku respektohet ateizmi dhe njerëzit jo-religjiozë

Publikuar, 11/12/2013
Kosova është ndër vendet ku respektohen më së shumti të drejtat e ateistëve dhe njerëzve joreligjiozë. Sipas raportit të Unionit Ndërkombëtar për Humanizëm dhe Etikë, në këtë pikë Kosova qëndron më mirë edhe se SHBA ose Kanadaja.

Një raport global, Liria e Mendimit 2013, mbi të drejtat, statusin legal dhe diskriminin kundër humanistëve, ateistëve, dhe njerëzve jo-religjiozë, i hartuar nga Unioni Ndërkombëtar për Humanizëm dhe Etikë (IHEU), ka ranguar lartë Kosovën sa i përket lirive dhe të drejtave të njerëzve jo religjiozë dhe ateistëve.

Raporti, të cilin e ka siguruar Express, ka trajtuar gjendjen në të gjitha kontinentet dhe shtetet ndërsa për të matur lirinë për këto çështje janë përdorur këto kategori:

Të lirë dhe të barabartë, Kryesisht kënaqshëm , diskriminim sistematik, diskriminim i rreptë dhe dhunim serioz.

Kosova radhitet në kategorinë e parë, pra si vend ku njerëzit joreligjiozë dhe ateistët janë të lirë dhe të barabartë.

Për të matur gjendjen, raporti fokusohet në ligjet aktuale që diskriminojnë ose jo ateistët, humanistët dhe grupet tjera jo religjioze.

Kosova në këtë kategori radhitet me Belgjikën, Holandën Sao Tome dhe Principen, Beninin, Nigerin, Sierra Leonen, Xhamaikën, Uruguain, Japoninë, Korenë e Jugut, Tajvanin etj.

Ndërkaq SHBA’të sa i përket të drejtave të këtyre personave janë radhitur në kategorinë ‘Kryesisht kënaqshëm’, sikurse edhe Shqipëria, Sllovenia, Franca, Maqedonia, Norvegjia etj.

Kanada bashkë me Serbinë, Malin eZi, Italia, Suedinë dhe shtete tjera janë diskriminuese sistematike të këtyre kategorive.

Izraeli, Turqia dhe Islanda llogariten si vende që këta persona i diskriminojnë ashpër.

“Në disa vende është ilegale të jesh një ateist. Përderisa disa shtete nuk ua ndalojnë njerëzve që të kenë religjion tjetër ose që të mos kenë fare religjion, e ndalojnë braktisjen e religjionit shtetëror. Dhe në këtë këto shtet dënimi për apostazi – braktisja e fesë- është zakonisht dënimi me vdekje.Në fakt, 19 shtete i dënojnë qytetarët e tyre për apostazi, dhe në 12 prejt tyre dënimi është me vdekje.Pakistani nuk ka dënim me vdekje për apostazi por për blasfemi”. Dënim me vdekje mund të marrësh nëse shpreh ateizëm në 13 shtete” thuhet në raport.

E kur është fjala për Kosovën aty thuhet se Kosova riafirmon të drejtën për liri të shprehjes, ndërgjegjes dhe të religjionit për të gjithë banorët pavarësisht bindjeve të tyre religjioze.

Derisa Kushtetuta mbron lirinë e shprehjes dhe të media bën përjashtim për gjuhën që nxit tensione etnike.

Unioni Ndërkombëtar për Humanizëm dhe Etikë është një union botëror me mbi 120 organizata ateiste, racionaliste, shekullare, kulturës etike dhe të mendimit të lirë nga më shumë se 40 vende.

Misioni i saj është që të reprezentojë dhe të ofrojë përkrahje për lëvizjen humaniste dhe ka për qëllim final të ndërtojë një botë humaniste në të cilën të drejtat e njeriut respektohen dhe ku të gjithë mund të jetojnë një jetë më dinjitoze.

Artikulli paraprakFrancë: Skandali i eutanazisë në azil pleqësh
Artikulli vijuesUdhëzimi i MASHT-it nuk e ndalon shaminë, ai u keqinterpretua!?