Grupi i parë i haxhinjve të ardhshëm nga Kosova, sot në orët e hershme të mëngjesit u nis për në vendet e shenjta, për të kryer një ndër kushtet e Islamit, Haxhin, raporton Anadolu Agency (AA).
Grupi i parë i përbërë prej rreth 215 haxhinjve të ardhshëm u mblodhën në aeroportin “Adem Jashari”, për të shkuar nga Prishtina për në Xhide të Mekës. Ata u përcollën nga familjarët dhe të afërmit e tyre.
Çifti Bekolli të cilët jetojnë për më shumë se 20 vite në Gjermani, në një deklaratë për AA u shprehën se kanë ardhur në Kosovë për të shkuar për herë të parë në Haxh.
Gruaja, Rabije Bekolli u shpreh se “Sot do të udhëtojmë për në Haxh. Ishallah Allahu na pranon. Ishallah Allahu e çon atje atë që dëshiron të shkojë, sepse ne kemi qenë në Umre në janar e tash dëshirojmë ta kryejmë Haxhin. Ishallah i gjejmë gjithë kosovarët e familjarët mirë, por ishallah edhe ne e kryejmë dhe Allahu na e pranon”, u shpreh Rabije Bekolli.
Ndërsa burri i saj, Shemsiu tha se “Me ndihmën e Allahut” do ta përmbushin dhe do ta përfundojnë me sukses këtë obligim. “Ne kemi qenë atje, e dimë që është një ndjenjë e papërshkrueshme, kur papritmas të shfaqet Qabja. Është ndjenjë e papërshkrueshme dhe vetëm ai që e ka shijuar mund ta tregojë”.
Mevdi Maholli nga Prishtina, i cili kishte qenë 15 herë në Haxh dhe 2 herë në Umre, ishte në aeroport për të shkuar për të 16-tën herë, së bashku me gruan e tij Magbulen, e cila për herë të katërt shkon në tokat e shenjta.
“Është një kënaqësi shumë e madhe. Është një vend ku tubohen 6 milionë njerëz, e mos të them më tepër. Është kënaqësi ta vizitosh Mekën dhe Medinen, Arafatin, dhe nuk mund ta përshkruaj çfarë kënaqësie është të jesh atje”, u shpreh Maholli.
Ndërkohë, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili po ashtu udhëton me grupin e parë, u shpreh se Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë të gjitha parapërgatitjet për këtë udhëtim me vlerë domethënëse. Ai bëri të ditur se këtë vit janë 860 haxhinj nga të gjitha komunat e Kosovës, të cilët do ta vizitojnë Qaben, Mekën dhe Medinen.
“Tash më Bashkësia Islame e Kosovës ka një përvojë gati 50 vjeçare, dhe të gjitha parapërgatitjet e të gjitha llojeve janë kryer. Atje i kemi edhe përfaqësuesit tanë që do të na presin. Tash aeroplani veçse ka zbritur në aeroport dhe besoj që çdo gjë do të shkojë mbarë dhe mirë”, u shpreh Tërnava.
Aeroporti “Adem Jashari” ishte i mbushur me haxhinjtë e ardhshëm dhe familjarët tyre, të cilët kishin ardhur për të përcjellur të afërmit. Gjatë përshëndetjes, ata përjetuan çaste emocionuese.
Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i kryesisë së Bashkësisë Islame në Kosovë, Resul Rexhepi më parë kishte bërë të ditur se këtë vit 860 besimtarë muslimanë do të shkojnë në Haxh, ku në mes tyre janë 32 udhëheqës të grupeve dhe 7 mjekë.
Pas grupit të parë, për çdo dhjetë orë do të udhëtojnë edhe 3 grupet tjera të haxhinjve të ardhshëm.