Kosovë – Prizreni organizon marshim për Srebrenicën

Në Prizren do të organizohet një marshim për nder të 20-vjetorit të masakrës së Srebrenicës. Marshimi organizohet nga dy organizata joqeveritare të boshnjakëve në Prizren dhe mbështetet nga Drejtoria për Kulturë e kësaj komune.
 
Sipas një njoftimi dërguar mediave nga OJQ-ja e quajtur “Boshnjak KS”, “Marshimi i Paqes për Srebrenicën” do të fillojë sot në orën 17.00 pranë qendrës sportive “Sezai Surroi” në Prizren, për të vazhduar në Bazhdarhane pranë “Shtëpisë së Bardhë” dhe rrugës drejt Shadërvanit, ku do të organizohet performanca “Lulja e Srebrenicës”.
“Marshimi i paqes është manifestim këmbësorësh, i cili mbahet në kuadër të përvjetorit të gjenocidit ndaj boshnjakëve të Srebrenicës dhe të rrethinës së saj me qëllim të përkujtimit të viktimave të gjenocidit dhe rikujtimin e krimeve të tmerrshme të kryera nga forcat ushtarake të Republikës Serbe, të ndihmuar nga forcat e Serbisë, ndaj popullit boshnjak në muajin qershor të vitit 1995. Marshimi i paqes organizohet në gati të gjitha vendet e botës, posaçërisht këtë vit, kur mbushen njëzet vjet nga gjenocidi në Srebrenicë. Kolona e pjesëmarrësve numëron me mijëra njerëz nga të gjitha anët e botës dhe për çdo vit kjo kolonë është më e madhe”, thuhet në njoftim.
Organizatorët bëjnë thirrje që të gjithë qytetarët të marrin pjesë, për t’u bashkuar me të gjithë botën në përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë, ku janë vrarë mbi 8 mijë njerëz.
Artikulli paraprak“The Guardian”: Grekët pjesëmarrës në masakrat serbe në Srebenicë
Artikulli vijuesKosova as sivjet nuk e siguron bukën e motmotit, importon nga Serbia