Krimi i organizuar dhe korrupsioni ngufasin Kosovën

Krimi i organizuar dhe korrupsioni kanë ngufatur Kosovën, madje vendi është shndërruar në terren të përshtatshëm për zhvillimin e këtyre aktiviteteve, vlerësojnë njohës të këtyre çështjeve. Sipas tyre, ky lloji kriminaliteti ka depërtuar edhe në institucionet qendrore dhe ato lokale të vendit.

Në anën tjetër, organet e rendit thonë se vetëm gjatë vitit 2012, kanë identifikuar 989 raste të veprave penale dhe se angazhimet në këtë drejtim nuk mungojnë.

Azem Hajdari, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, për Radion Evropë e Lirë thotë se, që nga periudha e pasluftës janë shtuar në masë të madhe rastet e krimit të organizuar.

Sipas tij, në Kosovë krimi i organizuar kryesisht manifestohet te këto lloje të veprave penale: si trafikimi me drogë, trafikimi me qenie njerëzore, kontrabanda me emigrantë, shpëlarje dhe falsifikim i parave dhe të tjera.

Fakti se ky lloj kriminaliteti, thotë Hajdari, ka arritur të depërtojë dhe të lidhet me qarqet e pushtetit qendror dhe atij lokal, ka ndikuar që te një pjesë e shoqërisë të krijohet përshtypja se kjo dukuri është e pamposhtur. Kjo lidhje, thotë ai, po pengon luftimin e veprimeve kriminale.

“Fakti që dikush ka peshë në jetën institucionale, është i përfshirë në një mënyrë apo tjetrën në veprimtari të tilla – ajo është pengesë e madhe në drejtim të luftimit të krimit. Në fakt, në deklarime, të gjithë janë për ta luftuar këtë formë të kriminalitetit, sepse është bërë pengesë serioze në jetën e Kosovës në shumë sfera”, thotë Hajdari.

Edhe zyrtarë të organeve të rendit pohojnë se në Kosovë është e pranishme dukuria e krimit të organizuar. Vullneti dhe kapacitetet e organeve të rendit, sipas përfaqësuesve të këtyre organeve, nuk mungojnë në luftimin e krimit të rëndë.

Brahim Sadriu, zëdhënës në Policinë e Kosovës, thotë se gjatë vitit të kaluar janë shënuar rezultate të dukshme në luftimin e këtij fenomeni.

Vetëm gjatë vitit 2012, bën të ditur Sadriu, Policia e Kosovës ka identifikuar dhe hetuar 989 raste të veprave penale, ka arrestuar 1066 persona, kurse ka ndaluar 659 persona.

Shumica e këtyre rasteve, thotë ai, kanë të bëjnë me trafikimin e qenieve njerëzore, substancat narkotike, trafikimin me emigrantë dhe vepra tjera që lidhen me krimin e organizuar.

​​“Në kuadër të këtij grupi të ndaluar, 83 raste janë shkaktuar nga grupet kriminale, të cilat kanë funksionuar si grupe të organizuara, duke kryer vepra penale që lidhen me krimin e organizuar. Po ashtu, gjatë 2012-s, kemi realizuar 363 operacione, ndërsa kemi bastisur 305 lokacione”, bën të ditur Sadriu.

Por, Azem Hajdari thotë se përballë kësaj gjendjeje, institucionet kompetente kanë çaluar në luftimin efikas të kësaj dukurie.

Numri i madh i lëndëve të pazgjidhura në gjykatat e Kosovës, sipas Hajdarit, është një fakt që tregon mosluftimin e krimit të organizuar.

“Kosovarët kanë më tepër nevojë që ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, pikërisht për faktin se aspirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Kosova do ta ketë të vështirë inkuadrimin në BE, pa dhënë sinjale të qarta dhe pa sjell rezultate praktike në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, vlerëson Hajdari.

Lufta kundër krimit të organizuar është një ndër kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian për vendet që synojnë integrimin në këtë mekanizëm./rel

Artikulli paraprakPacientët vazhdojnë t’i blejnë ilaçet
Artikulli vijuesPDK mban sekret financat