Kritikë Raportit të Shpend Kursanit

Shtypja ekstreme shumë vjeçare nga regjimi komunist ndaj besimtarëve të besimeve të njohura në Kosovë e Shqipëri, veçanërisht ndaj besimit dhe besimtarëve muslimanë; etiketimi, përsekutimi, dhunimi, malltretimi deri te vrasja e tyre, për shkak të praktikimit të fesë, ka futur frikë të tmerrshme te besimtarët dhe kjo frikë ka rezultuar drejtpërsedrejti në minimizimin e praktikimit të Islamit, ku pastaj duke kaluar vite nën këtë regjim shtypës, thuajse i tërë besimi mbeti vetëm në zemër, pa reflektuar në vepra (rituale, praktika e aktivitete fetare). Prandaj, vimë në përfundim se Islami (ultra)minimal, ka qenë politikë e sistemit të atëhershëm dhe assesi vullnet i popullit.
 
Ndërrimi i sistemit, liria, ndjenja e çlirimit, rahatia mendore janë ndër kryesoret që shkaktuan ”shperthimin” e ndjenjes fetare te populli (menjëherë pas luftës), të akumuluar me vite. Po ashtu, këtu del në pah roli i prijësve fetarë (Bashkësisë Islame, aktivizimi i imamëve nëpër xhamia etj.), interesimi për fe, ndërsa më vonë, materializimi i tepruar dhe mosgjetja e rahatisë shpirtërore etj. Ndërsa, tendencat që përpiqen të shpjegojnë ndryshe, se kinse pas luftës është blerë truri i popullit, pra është manipuluar me popull përmes ndihmave humanitare etj., janë të papranueshme, këto bëhen edhe më të papranueshme, kur kjo bëhet shkaku kryesor ose gati i vetmi që ka çuar në fetarizimin e popullit. ShBA dhe BE kanë sjellë ndihma humanitare, ushqimore e monetare, në Kosovë më shumë se kushdo tjetër. Me çfarë pretendimi e kanë bërë ata këtë?
 
Ajo që është jetike të kuptohet, sepse edhe këtu ka manipulim, është që në Kosovë, pas luftës, nuk ka ndodhur konvertim në Islam, as rikonvertim në të, por ka ndodhur një rizgjim islam, pra një rikthim, nëse mund ta quaj, në identitetin islam, ose ka ndodhë plotësimi i identitetit të popullit, të cunguar deri më atëherë. Kjo s’ka ndodhë me dhunë, sepse nuk ka ndodhë në terësi, prandaj mund të shohësh prej muslimanëve se në aspektin fetar tani nuk qendrojnë më mirë sesa para regjimit komunist. Edhe sot e kësaj dite hoxhallarët veprojnë për ngritjen e njohurive fetare të besimtarëve të besimit islam dhe nuk kanë fushë ekskluzive të veprimit për konvertimin e pjesëtarëve të besimeve të tjera.
 
Të etiketuarit është bërë moda më e shpeshtë e degradimit të shoqërive të caktuara, në rastin tonë të shoqërisë islame. Etiketimi i nje pakice fetare ose kombëtare thuajse çdoherë bëhet për ta luftuar e nënçmuar shumicën, njëjtë si në kohën e komunizmit (theksshëm edhe para luftës), kur disa identifikoheshin si nacionalistë etj., ndërsa luftohej e dhunohej i tërë populli. Nën pretekstin e luftimit të vehabizmit, selefizmit, ekstremizmit, radikalizmit, fundamentalizmit, terrorizmit etj. janë vrarë, masakruar, torturuar e terrorizuar me mijëra foshnje, fëmijë, të rinj e të reja, pleq e plaka (të dhënat janë tmerruese).
 
Politika globale diskriminuese ndaj muslimanëve ka determinuar sjelljen e qeverive të pasluftës në Kosovë, pas rënies së komunizmit në Shqipëri, karshi shumicës fetare, edhe më shumë ndaj praktikuesve të Islamit. Në Kosovë vajzave që shfaqin hapur bindjet e tyre fetare iu ndalohet shkollimi obligativ dhe punësimi në institucione publike, ndërsa lëshimi i mjekrës nga të rinjtë thuhet se paraqet ekstremizëm e radikalizëm, rrjedhimisht rrezik për shoqërinë në Kosovë.
 
Në krijimin e kësaj hallakame një rol konsiderueshëm të madh e kanë (pasur) edhe media, që kanë një qasje shpesh jo të duhur ndaj Islamit, muslimanëve, sidomos praktikuesve të Islamit. Burimi i financimit dhe informimit të mediumit, lajmit, apo punimeve të tjera shpesh përcakton edhe informatën që do të plasohet dhe qasjen në të, kur ka të bëjë me Islamin dhe pjesëtarët e tij.
 
Muslimanët e kanë obligim primar ta mësojnë fenë e tyre, ta studiojnë atë dhe të jetojnë me të në mënyrën më të duhur, sepse të qenit musliman pa praktikuar fenë, po prodhon muslimanë të ashtuquajtur liberalë (pa njohuri elementare fetare, që japin e marrin thuajse gjithçka, ose muslimanë neglizhentë), kurse ata që sinqerisht mësojnë dhe praktikojnë fenë, quhen konservatorë e
 
fundamentalistë, të njëjtit nëse hapur kundërshtojnë diçka, apo nuk pranojnë diçka tjetër, menjëherë etiketohen si ekstremist të dhunshëm, apo radikalist, apo mundohen t’i margjinalizojnë, me pretendimin se nuk duhet të merren me tema të caktuara, si politika etj.
 
Raporti për shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri e Irak (Raporti), për mendimin tim, nuk paraqet shkaqet kryesore të kësaj shkuarje, gjithashtu nuk paraqet shkaqet reale të krijimit të grupacioneve (sidomos të Al-Kaida e ISIS) dhe po ashtu nuk ka paraqitur disa të dhëna të sakta historike dhe akademike, që pastaj për shumë shkallë do t’ia ndërronin orientimin Raportit.
 
Duke lexuar Raportin, më krijohej përshtypja se idea fillestare e autorit ka qenë krijimi i teorisë, pastaj mbledhja e fakteve që do t’ia mbështetnin teorinë, rrjedhimisht kjo ka krijuar/do të krijonte situatën se disa të dhëna faktike të anashkaloheshin. Kjo pastaj, mendoj unë, ka minuar/do të minonte objektivitetin e Raportit. Sido që të jetë, fillimisht do të fus disa informata që nuk janë pjesë e Raportit, pastaj do të vlerësoj disa nga pikat që unë kam menduar se autori ka gabuar, apo është dashur t’i gdhendë e plotësojë meritueshëm.
 
Nuk mund të mohohet fakti që shumë prej muslimanëve nga kudo (edhe nga vendet arabe, madje më së shumti), edhe nga Kosova, iu kanë bashkëngjitur këtyre formacioneve të armatosura, për arsye të shumta. Disa nga arsyet janë nxjerrur gjatë një Konferencë katër ditore, e organizuar në Mekë, Arabi Saudite, në këtë vit, me temën ”Terrorizmi, rreziku dhe pasojat e tij”. Ne vazhdim po paraqesim disa prej tyre:
 
1 Mosgjykimi dhe mostrajtimi i drejtë i çështjeve dhe kauzave që kanë të bëjnë me muslimanët dhe të drejtat e tyre në botën aktuale. Standardet e dyfishta ndërkombëtare, nga njëra anë, dhe mospërpjekja e sinqertë për të ndihmuar disa kombe të shtypura me përkatësi muslimane, nga ana tjetër, si dhe mossinqeriteti për t’i ofruar mbështetje politike disa popujve të robëruar, që të gëzojnë lirinë, sikurse popujt tjerë të botës, mund të çojë disa individë apo grupe të caktuara drejtë akteve të ndryshme terroriste.
 
2 Injoranca, mosnjohja e duhur e fesë islame dhe manipulimi nga qarqe të caktuara të individëve me orientim islam të cilët marrin përgjegjësi që nuk u takojnë dhe për të cilat nuk kanë as përgatitje e as aftësi.
 
3 Kushtet e vështira ekonomike, jeta e rënd, diskriminimi i vazhdueshëm, nënçmimi, përulja dhe përbuzja mbi baza të fesë/besimit, papunësia dhe çështje tjera të këtij lloji kanë gjithashtu ndikimin e vet në përhapjen e këtij fenomeni.
 
4 Një ndër shkaqet me ndikim të madh të përhapjes së dhunës dhe terrorizmit është po ashtu edhe trajtimi i njëanshëm e qëllimkeq i medieve, në veçanti provokimet që po bëhen nga disa medie të cilat Islamin dhe muslimanët i kanë vënë në bankën e të akuzuarve për çdo të keqe në botë.
 
*
 
Sa herë që një krim kryhet nga ndonjë musliman, pavarësisht edhe nëse është ateist apo jofetar, ato vendosin në kryetitull përkatësinë (emrin) e tij muslimane.
 
5 Fyerjet, e dizajnuara me mjeshtri, që behën në emër të së ashtuquajturës ‘lir
i e shprehjes’, sikur që ndodhi herën e fundit me stereotipinë e Profetit Muhamed, po ngacmojnë gjendjen psikologjike dhe emocionale të njerëzve euforikë dhe, si rezultat i një trysnie psikologjike, po i çojnë ata njerëz drejt ndjenjës së hakmarrjes5.
 
Përveç arsyeve të lartpërmendura, sipas mendimit tim, arsye që kanë mundur të i shtyjnë të tjerët , nga Perëndimi (qofshin muslimanë, apo jo), Kosova/Ballkani dhe nga ato vendet ku operojnë këto grupacione ekstremiste e të dhunës janë:
 
-Solidarizimi me popullatën e shtypur (ndjenja humane se çdokush duhet të jetojë në liri);
 
-Vullneti për të ndihmuar në çokupim, por duke mos njohur grupin që do t’i bashkëngjitej dhe rrethanat tjera (në rastin e Sirisë, konfuzioni në mes të Ushtrisë së Lirë dhe grupacioneve të tjera);
 
-Urrejtja ndaj kolonizatorëve perëndimorë, po ashtu urretja ndaj shiitëve, në rastin e Irakut e Sirisë etj;
 
-Përkatësia e njëjtë fetare (muslimanët arabë e joarabë) dhe kombëtare (arabët e Perëndimit)
 
-Ideja që ISIS, Al-Kaida etj., janë vendore, kurse të tjerët të huaj. Pra, si luftë ndaj të huajve;
 
-Mosnjohja e rregullave fetare dhe keqinterpretimi i tyre;
 
-Angazhimi i sherbimeve inteligjente/sekrete etj.
 
Havarixhzmi. Tekfirizmi. Imamët (havarixhë) tekfirë.
 
Në të vërtetë, havarixhzmi (pjesë e saj, tekfirizmi) ka pasur rol negativ në prishjen e imazhit paqësor të Islamit, gjatë gjithë historisë së ekzistimit të tyre. Këtë e kanë potencuar edhe të parët tanë të mirë.
 
Nuk jam kundër që të trajtohen të gjitha burimet e ekstremizmit, dhunës e terrorizmit dhe akterëve të tyre (ideatorët e rekrutuesit), qoftë edhe havarixhzmin/tekfirizmin, por, problemi im me autorin e Raportit, për këtë temë, është në këto tri rrafshe: raportim i njëanshëm për temën në fjalë, mospërfshirjen e mendimit ‘pro et kontra’ ndaj tezës së tij, rreth tekfirizmit dhe tekfirëve dhe përpjekjen e tij që tekfirizmin, apo imamët tekfirë të kudoshëm t’i paraqesë si shkaku kryesor (gati i vetëm) i arsyetimit të tij për luftrat dhe inkuadrimin në to, duke i anashkaluar tërësisht shkaqet kryesore e të pakontestueshme, që i kam përmendur më lartë, si burim i konflikteve e dhunës. Kjo, nuk besoj se është qasje e drejtë.
 
Nuk është qasje e duhur edhe inferioriteti i Raportit ndaj rolit e ndikimit të mediave, që përmes lajmeve të shpifura, të manipuluara, të modifikuara/shtrembëruara e të pavërtetura për Islamin dhe muslimanët, janë bërë adresë e urretjes dhe përçarjes në mes të shoqërisë kosovare. Prandaj, është dashur të trajtohet ky problem si njëri ndër shkaqet e paraqitjes së gjuhës së urrejtjes edhe ekstremizmit. Përderisa lexova shumë rekomandime që kishin dalë nga Raporti, nuk pash asnjë, që rekomandon, që së paku mediet në Kosovë ta vërtetojnë lajmin dhe të mos plasojnë në publik lajme të shpifura e urrejtjenxitëse. Pastaj, edhe deklaratat e veprimet e pamatura të udhëheqësve shtetërorë dhe të partive politike e fytyrave publike kanë impakt negativ, të cilat mund të shkaktojnë urrejtje, dhunë etj.
 
Me të dëgjuar për Raportin, kam shprehë interesim të mirrem me të; ta lexoj vëmendshëm, ta analizoj atë dhe opinionet rreth tij, pastaj ta dha kontributin tim në vlerësim, sqarim e plotësim. Do të ishte më e ”lehtë” për mua vetëm ta injorojë, ta ofendojë atë, apo dezinformojë për të, por siç ka thënia një dijetari islam, dr. Jusuf Kardavi, se Islami neve na mëson të ndezim qirinj e të mos e mallkojmë terrin, ma mundi neglizhencën time.
 
Falenderimi i takon Zotit të Gjithdijshëm, i Cili kur gabojmë na fal dhe mëshiron.
 
Kenan Hoti/mszh
Artikulli paraprakKurti: Qeveria paqe me Serbinë, luftë me Islamin
Artikulli vijuesJa si e marrin lejen e qëndrimit shqiptarët në BE