“Dy ditë me radhë kishim problem me taksistët, nuk hipëm dot në tren”- deklaroi refugjatja nga Iraku, Sanaa.
“Ëndrra ime është të mbaroj studimet master, për këtë jam larguar nga vendi im. Në Kabul situata e sigurisë nuk është e mirë. Nuk kam frikë nga kultura gjermane me të cilën do përballem. I respektoj gjermanët sepse ata respektojnë ligjet dhe religjionet e ndryshme”- tha refugjatja nga Afganistani, Faisal Shamal.
UNHCR ka ngritur kampe në kufi me Preshevën për të lehtësuar kalimin e refugjatëve nga Maqedonia në Serbi e më pas në Kroaci. Por, nga kjo organizatë deklarojnë se nëse vende të caktuara mbyllin kufijtë e tyre, emigrantët do të përpiqen t’i thyejnë ato në mënyrë ilegale.
“Këtu ne mund t’u ndihmojmë emigrantëve. Këtu kanë ushqim dhe ujë, supë të ngrohtë, rroba dhe këpucë nëse kanë nevojë. Sot presim një numër të madh refugjatësh. Por, nëse atyre u ndalohet hyrja në vende të ndryshme, kam frikë se ata do kërkojnë rrugë alternative. Dhe situata për ta mund të bëhet e rrezikshme”- theksoi Astrid Castelein nga UNHCR.
Në 24 orët e fundit në Maqedoni kanë hyrë 908 refugjatë, mes tyre 374 fëmijë. Vetëm 7 persona kanë shprehur dëshirë të përfitojnë të drejtën e azilit në vendin tonë, pesë nga Afganistani dhe dy nga Siria. Pesë fëmijë minoren pa shoqërues janë nën përkujdesjen e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.
Çekia, ndërkohë, ka dërguar 27 pjesëtarë të njësiteve speciale të policisë që do të ndihmojnë në mbrojtjen e kufirit Maqedoni–Greqi deri më 19 mars të këtij viti.