Kryeshefi, i jashtëligjshëm

0
416

Në kundërshtim me ligjin, pa shpallur konkurs fare, një vit para përfundimit të mandatit Bordi i Drejtorëve të Postës së Kosovës ia ka vazhduar mandatin edhe për 5 vjet të tjera kryeshefit Sejdi Hoxha.

Sipas tyre, ky i fundit ka pasur performancë pozitive, ndonëse ndërmarrja që drejton ai ka mbyllur vitin me humbje

Bordi i Drejtorëve të Postës së Kosovës (PK) pa shpallur konkurs fare një vit para përfundimit të mandatit ia ka vazhduar mandatin edhe për pesë vjet të tjera kryeshefit të Postës së Kosovës Sejdi Hoxhës.

Ky i fundit me vendim të Bordit, më 19 tetor të vitit 2012, ka ardhur në pozitën e kryeshefit për një periudhe prej 3 vjetësh, respektivisht deri më 18.10.2015.

Por një vit më herët, më 8 tetor 2014, Bordi i Drejtorëve të kësaj kompanie publike ia ka vazhduar mandatin Hoxhës edhe për pesë vjet të tjera.

Zyrtarë të Postës së Kosovës thonë se vendimi për vazhdimin e mandatit është bërë pas vlerësimit të performancës pozitive, por në fakt kompania që drejton Hoxha edhe më tutje vazhdon ta mbyllë vitin me bilanc negativ.

Madje burime të besueshme të gazetës “Zëri” brenda kësaj kompanie publike bëjnë të ditur se sivjet menaxhmenti po ka vështirësi t’i sigurojë edhe pagat mujore për punëtorë e ku për t’i dhënë pagat e muajit të fundit Posta e Kosovës ka huazuar mjete nga Telekomi i Kosovës.

Por në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik vendimin e Bordit po e konsiderojnë si të jashtëligjshëm.

“Pozita e kryeshefit ekzekutiv është pozitë e zyrtarit të lartë në ndërmarrje publike që për zgjedhjen e tyre Bordi i Drejtorëve duhet të kryejë një procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhet ekskluzivisht në bazë të meritës. KE-ja mund të ketë kontratë/vendim mbi emërimin me kohë të caktuar apo sipas Ligjit të Punës edhe me kohë të pacaktuar, dhe të drejtat e tij dalin nga kontrata ose Ligji i Punës, me të drejtën e BD-ve që në çdo moment të rishikojë performancën e punës së tij. Nisur nga kjo Bordi Drejtorëve nuk ka të drejtën ligjore që t’ia vazhdojë mandatin një kryeshefi ekzekutiv një vit para skadimit të mandatit të rregullt”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga zyra për medie e MZH-së.

Bordi vazhdon mandatin me vendim unanim

“Kontrata e punës është vazhduar nga Bordi i Drejtorëve pas vlerësimit të performancës pozitive edhe për një mandat, duke u bazuar në Ligjit për Ndërmarrjet Publike”, thotë për gazetën “Zëri” Bashkim Mustafa, drejtor për Shitje, Planifikim dhe Kujdes ndaj konsumatorëve në Postën e Kosovës. Sipas tij, Bordi i Drejtorëve duke u bazuar në Ligjin për Ndërmarrjet Publike Nr. 03/L-087 dhe Ligjit Nr. 04/L-111 për ndryshim dhe plotësimin e Ligjit numër 03/L-087 dhe performancën pozitive të kryeshefit ekzekutiv, me vendim unanim ia ka vazhduar kontratën. “Nëse performanca e kryeshefit dhe zyrtarëve të lartë vlerësohet pozitive, Bordi ka mandat ligjor për t’ia vazhduar kontratën e punës. Praktikë e njëjtë ka ndodhur edhe me zyrtarët e lartë të Ndërmarrjes, si dhe me drejtorët e tjerë të cilët janë nën kompetencën e kryeshefit ekzekutiv. Praktikë e njëjtë e vazhdimit të mandateve të pozitave të tilla ka ndodhur edhe në të gjitha ndërmarrjet publike në Kosovë që i nënshtrohen të njëjtit ligj”, ka thënë Mustafa.

Ai më tutje këmbëngul se në bazë të Ligjit për Ndërmarrjet Publike Nr. 03/L-087, Ligjin e Punës Nr:03/L-222, si dhe në bazë të Ligjit të Punës kontratat në afat të caktuar mund të jenë deri në 10 vjet.

Kryeshefi, kryesues i Bordit

Kryeshefi aktual i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, përpos që është anëtar i Bordit të Drejtorëve të Postës së Kosovës, ashtu siç është e paraparë me ligj, ai për më shumë se një vit ka qenë edhe kryesues i Bordit të institucionit financiar jobankar “Posta e Kosovës”, e cila ka vepruar nën ombrellën e Postës së Kosovës.

Por zyrtarë të Telekomit të Kosovës thonë se Institucioni Financiar Jobankar është institucion i brendshëm i PK-së, i cili funksionon në kuadër të Postës së Kosovës dhe është themeluar konform rregulloreve të BQK-së.

Sipas tyre, BQK-ja kërkon që në këto komitete të jenë njerëz profesionalë dhe me eksperiencë menaxheriale.

“Duke u bazuar në këtë kriter, kryeshefi ekzekutiv, zyrtari kryesor financiar dhe sekretari i Korporatës, si tre nga zyrtarët kryesorë të ndërmarrjes janë emëruar nga Bordi i Drejtorëve të Postës në këto komitete. Bordi i IFJB-së ka filluar punën nga data 06.12.2013 dhe nga data 09.02.2015 është shndërruar në Komitet Mbikëqyrës të IFJB-së me kërkesë të BQK-së. Organizimi, udhëheqja dhe komitetet e saj janë nga punëtorët e brendshëm me përjashtim të disa anëtarëve të jashtëm. Kanë filluar punën nga data 06.12.2013 dhe janë kompensuar vetëm deri më datën 02.10.2014, të cilat janë të deklaruara në Agjencinë Antikorrupsion si të hyra që merr në PK SHA. Ndërsa nga viti 2014 zyrtarët e brendshëm të Ndërmarrjes japin kontributin e tyre profesional në këto komitete pa ndonjë kompensim nga Ndërmarrja”, thuhet në përgjigjen e Postës së Kosovës.

Edhe 25 punëtorë të rinj

Më tej burime të besueshme të gazetës “Zëri” brenda Postës së Kosovës bëjnë të ditur se kryeshefi aktual, Sejdi Hoxha, ka bërë gati listën për punësimin e 25 personave të rinj, të cilët kryesisht janë të afërm të anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të kësaj kompanie. Madje sipas burimeve të njëjta, ata janë intervistuar gjatë ditëve të fundjavës, praktikë kjo jo e zakonshme në Ndërmarrje Publike.

Por në anën tjetër, zyrtarë të Postës së Kosovës thonë se punëtorët e rinj po pranohen në punë me vendim të Bordit të Drejtorëve të kësaj kompanie.

“Planifikimi i stafit për vitin 2017 është aprovuar nga Bordi i Drejtorëve në Planin e Biznesit të vitit 2017. Sipas kërkesave te regjioneve menaxhmenti do ta rekrutojë stafin, duke u bazuar në Planin e Biznesit të aprovuar nga Bordi i Drejtorëve”, thotë Mustafa nga Posta e Kosovës.

Po ashtu ky mohon se punëtorët që do të punësohen janë të afërm të Bordit të Drejtorëve të Postës së Kosovës.

“Posta e Kosovës garanton që asnjë punonjës nuk do të pranohet nëse vlerësohet se ka konflikt interesi. Në rast se paraqiten raste të tilla PK SHA do të kërkojë interpretim ligjor nga Agjencia Antikorrupsion i Kosovës”, ka thënë më tutje ai.

Sipas tij, në fillim të vitit 2014 Posta e Kosovës i ka pasur 948 punëtorë, ndërsa tani numri i punëtorëve është 996 punëtorë.

Por burime të besueshme të gazetës bëjnë të ditur se numri i të punësuarave në këtë Ndërmarrje Publike është mbi 1000 pa llogaritur këtu edhe 25 punëtorët e rinj që do të pranohen.