Muhamed Ismaili
“O ju që besuat, pse po e thoni atë që nuk e punoni? Tek All-llahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni!” (Kur’ani, 61:2-3)
Sipas besimit tim, diversiteti i njerëzve është një akt i qëllimshëm i Zotit, për njohje dhe afrim mes tyre, e jo për urrejtje në bazë të këtyre ndryshimeve.
Në kohën e Austro-Hungarisë, në Gjakovën e vitit 1914, kur duhej të ndërtohej kishë katolike, Bajram Curri i tha Konsullit austriak: “Ne shqiptarët musliman në Gjakovë, i kemi 18 xhami, zgjidhe njërën prej tyre ta bëjmë kishë”.
Për tolerancën ndërfetare të shqiptarëve, në veçanti të atyre musliman, Noli ka thënë:
“Elementi mysliman ka shumicën në Shqipëri, nuk besoj të ketë një shtet të qytetëruar, ku të mbretërojnë aq, gjer në indiferentizëm, tolerancë feje, sa në Shqipëri. Prova e faktit, për të cilën me të drejtë krenohen të gjithë shqiptarët, është, që në krye të Qeverisë së sotme jam unë, një peshkop ortodoks, dukuri e panjohur edhe për shtete ortodokse”.
Kjo histori edhe tani është përsëritur.
Po pse tani shqiptarët (muslimanë) janë ngritur në këmbë kundër një kryqi në Butel?
Kohë më parë një kryq shumë më i madh u vendos mbi Vodno dhe një tjetër në lagjen Aeorodrom. Nuk pati asnjë reagim, nga askush. Me përjashtime të vogla, munguan edhe reagime për kishat por edhe për xhamitë numri i të cilave u shtua dhe po shtohet viteve të fundit me përshpejtim. Sikur të zhvillohet një garë ndërfetare, por edhe ndëretnike, pasi në dy anët qëndrojnë dy etni të ndryshme në këtë rast.
Te rasti i Kryqit të Butelit ka një veçanti. Po afrohen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Zgjedhje të cilat u shkaktuan nga një krizë e rëndë politike dhe më tepër po ngjajnë në “luftë” për rrëzim të një diktature dhe tentimi i saj për të mbijetuar politikisht.
Sipas shembullit të VMRO-DPMNE-së kur me shatorë protestoi para parlamentit në të cilin përbënte shumicën, tani edhe partneri i tyre qeverisës BDI ka ngrejtur shatorë në shenjë proteste. Kundër kujt?! Kundër institucioneve me të cilat qeverisin vetë ata?! Kjo nuk ka asnjë logjikë! Përveç logjikës së paaftësisë për të vepruar në institucione, të mbështjellë me manipulimin parazgjedhor të opinionit.
“O ju që besuat, pse po e thoni atë që nuk e punoni? Tek All-llahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni!” (Kur’ani, 61:2-3)