Kthehet protesta për shami

Protestat për shami janë rikthyer. Një e tillë do të mbahet sot në Ferizaj. Nxënësit e shkollës së mesme ekonomike “Faik Konica” do të protestojnë kundër suspendimit nga shkolla të koleges së tyre, Njomza Jashari, e cila u suspendua për shkak të mbulesës fetare.
Më 21 dhjetor të vitit që shkoi vendosi shaminë në kokë. Ajo tash identifikohet si femër e mbuluar. Por Njomza Jashari nga Ferizaj nuk do të mund të përfundojë vitin e fundit të shkollës së mesme. Krejt kjo u bë për shkak të mbulesës fetare që ajo veshi dhe erdhi në shkollë pas pushimit dimëror.
Kot u munduan profesorët dhe drejtori ta bindnin që ajo ta heqë mbulesën, por nuk e bëri këtë. Pas disa përpjekjeve Njomzës të premten iu dha një vendim. Nga drejtoria e shkollës “Faik Konica” dhe ajo e Arsimit komunal, Njomza Jashari është suspenduar nga mësimi mbi një muaj.
Ajo tregon së të premten në orën e tretë e ka thirrur drejtori në zyrë, ku ia ka komunikuar vendimin për suspendim nga shkolla.
“Edhe me prindërit e kam diskutuar këtë çështje se do të kem probleme dhe jemi munduar që të bëjmë një marrëveshje, në mënyrë që ta marr klasën me korrespodencë. Por drejtoria edhe këtë ma ka kushtëzuar që ta kryej, duke mos e bartur mbulesën”, sqaron Njomza
Ajo tha se drejtori i shkollës i ka sugjeruar që të blejë shkollën me para ku të dojë sepse në mënyrë të rregullt nuk ka asnjë mundësi. “Unë do të luftoj në të gjitha mënyrat, por mbulesën nuk e heq. Kam vendosur tashmë”, thotë Njomza Jashari. Sipas saj të hënën(sot) do të flasin ankohen edhe në Ministri të Arsimit dhe në instanca të tjera.
Në përkrahje të Njomzës kanë dalë shoqet dhe shokët e shkollës së mesme të lartë ekonomike ‘’Faik Konica’’ në Ferizaj, që do protestojnë të hënën (sot) në mesditë. Sipas një njoftimi në rrjetin social Facebook, nxënësit e kësaj shkolle do të protestojnë kundër siç thonë ata diskriminimit fetar. “Largimi i vajzave me shami nga procesi mësimor, (rasti i nxënëses së kësaj shkolle Njomza Jashari), torturimi i nxënësve fetar për shkak të bindjeve fetare, mos rregullimi i orarit mësimor duke u pamundësuar nxënësve kryerjen e ritualit fetar të xhumasë”, janë disa nga arsyet e protestës. Po ashtu nxënësit kanë vërejtje edhe në stafin e shkollës për padrejtësi të tjera. Në mes të tjerash nxënësit kanë postuar në Facebook se shkolla “Faik Konica” ka marrë imazhin e shkollës kubano-komuniste.
Mediat nuk kane mundur të kontaktojë drejtorin e shkollës Xhevat Aliu për të sqaruar më mirë ato çka thonë nxënësit dhe lidhur me vendimin për suspendim nga shkolla të Njomza Jasharit. Por në vend të tij është përgjigjur drejtori i arsimit, Agim Berisha. Ai tha se nxënësja është suspenduar në bazë të udhëzimit administrativ të arsimit, i cili nuk lejon bartjen e uniformës fetare. “Ne vetëm kemi respektuar udhëzimin administrativ dhe ligjet në fuqi, ku thuhet se nuk lejohet uniformë e dyfishtë nëpër shkolla”, tha Berisha për Express.
Ai sqaron se maturantes i është ndaluar hyrja në shkollë me veshjen që bartë aktualisht. Nëse ndërron mendje sipas Berishës ajo mund të kthehet kur të dojë. “Ajo e ka rrugën e hapur që të kthehet në shkollë kur të dojë, por jo me shami”, tha Berisha.
I pari i Arsimit në Ferizaj tha se për maturanten janë tri rrugë; të vijë në shkollë pa mbulesë, të regjistrohet në shkollat e mesme përkatëse që janë në Prishtinë, Mitrovicë dhe Gjilan ose ta marrë shkollën me provime në klasë. “Por edhe në këtë rast ajo nuk mund të vijë në provime me mbulesë”, sqaron Berisha.
Ai qeshet me të madhe edhe me kërkesat e disa nxënësve të kësaj shkolle që kërkojnë që ta rregullojnë ndryshe orarin mësimor, në mënyrë që të kryejnë ritet fetare. “Derisa shteti me Kushtetutë është laik, ne nuk i përfillim këso lloj kërkesash. Ne kemi orarin standard”, tha Berisha.
Ndryshe nuk është hera e parë që nxënësve të shkollave të mesme përjashtohen nga procesi mësimor për shkak të bartjes së shamisë. Për këto ndalesa u patën mbajtur edhe protesta dhe ka pasur diskutime në Kuvend. Por futja e shamisë në shkolla të mesme nuk ka kaluar as nga deputetët.
Organizata që rreth vetes mbledhin besimtarë myslimanë kanë organizuar një varg protestash, ku kanë kërkuar futjen e edukatës fetare dhe bartjen e shamisë nëpër shkolla. Në një rast një nxënëseje nga Vitia nuk i ka dhënë të drejtë as Gjykata Kushtetuese në të cilën ishte ankuar ajo.
Ndaj vendimit të Drejtorisë së Arsimit ka reaguar edhe dega e Bashkësisë Islame në Ferizaj, ku kanë kërkuar rikthimin në shkollë të maturantes Njomza Jashari. /IO

Artikulli paraprakCilat janë pasojat e rënda të Iranit si pasojë e sanksioneve?
Artikulli vijuesJa si fitohen tenderët