I pakënaqur me ndarjen buxhetore për vitin 2016 që iu bë nga niveli qendror, kryetari i Junikut Agron Kuçi ka thënë se komuna e tij u diskriminua sidomos tek investimet kapitale.
Për vitin 2016, Komunës së Junikut, Qeveria i ndau vetëm 77 mijë euro për investimet kapitale, të cilat, sipas Kuçit, do të dëmtojnë rëndë jetën e qytetarit të kësaj komuna dhe pamundësojnë punën e këtij institucioni, raporton KTV.
Kuçi ka thënë se disa herë ka bërë kërkesë te institucionet qendrore, madje edhe tek ministri i Financave, Avdulla Hoti për këtë ndarje buxhetore, por deri më tani ai nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Duke bërë krahasimin me komunat tjera, kryetari i Junikut ka thënë se komuna që ai drejton ka më së paku mjete të ndara për kokë banori, me rreth 12 euro, në krahasim me komunat tjera të cilat kanë më pak banorë se Juniku.
Në rast se qeveria nuk ndërmerr masa, Kuçi ka kërcënuar se ai së bashku me qytetarët e Junikut do të dalin para qeverisë për të kërkuar mjete më shumë për komunën që ai udhëheq, transmeton Koha.net.
Kreu i Junikut këto akuza i ka bërë në një konferencë për media nga selia e AAK-së në Prishtinë.