Kujdes, ky frute është i dëmshëm kur merret me ilaçe

Fruti i qitros dhe lëngu i tij përdoren shumë në menunë e mëngjesit. Por shkencëtarët thonë se qitroja duhet shmangur nga personat që marrin edhe ilaçe. Qitro ndërpret procesin e shpërberjes së shumë lloj ilaçeve, përfshi barnat për trajtimin e sëmundjeve të zemrës, alergjive dhe kolesterinës së lartë. Përzierja e këtyre ilaçeve me qitron, në disa raste mund të shkaktojë mbidoza e në raste të tjera i bën pacientët të mos marrin dozën e mjaftueshme të ilaçeve për të cilat kanë nevojë.

Ekspertët rekomandojnë që para marrjes së një ilaçi, pacienti duhet të lexojë me kujdes etiketën nëse aty përmendet qitroja. Një grua në shtetin Uashington nuk e dinte këtë kur filloi një dietë me qitro dhe për pak humbi këmbën si pasojë e bllokimit të gjakut nga grimcat e mpiksura. Mjekët thonë se në këtë rast, qitroja shkaktoi bllokimin e përhapjes në trup të estrogjenit që ajo kishte marrë nëpërmjet tabletave kundër shtatzënisë.

Nga qitroja ndikohen një sërë ilaçesh të tjera. Barnat Statin për uljen e nivelit të kolesterinës mund të bëhen shkak për nxitjen e sëmundjeve muskulare kur përzihen me qitron. Fruti i qitros mund të shkaktojë probleme edhe nëse ndërthurret me disa lloj ilaçesh kundër depresionit, aritmisë, alergjisë dhe hollimit ë gjakut.

Sipas një studimi botuar në revistën Lancet, problemi shkaktohet sepse qitroja dhe këto barna ndjekin të njëjtën rrugë të përhapjes në organizëm, dhe atje ku qitroja është e pranishme, barnat nuk mund të kryejnë funksionin e tyre, pasi nuk arrijnë të shpërndahen e bllokohen, dhe ashtu të bllokuara bëhen rrezik për shtimin e niveleve toksike në trup.

Nëse personi është i pasigurt se qitroja krijon reaksion me barnat që ai merr, këshilla e mjekut është e domosdoshme, sepse nga marrja çdo ditë, qoftë edhe në sasi të vogël, e qitros mund të bëhet shkak për probleme të rënda kur ky frut ndërthurret me ilaçe të gabuara.

Artikulli paraprakSfidat që çdo çift modern duhet t’i kalojë para martesës
Artikulli vijuesShqisat e shijes dhe nuhatjes kanë rol tejet të rëndësishëm në sigurinë apo rrezikun që sjellë ushqimi