Cikli juaj menstrual
Ju tani ndoshta keni shumë njohuri për ciklin menstrual – si p.sh. sa shpesh ju vijnë periodat dhe sa të rënda janë ato. Në këtë faqe do ta shohim me më shumë detaje ciklin menstrual të femrave, ovulimin dhe periodat. Sigurisht asnjë faqe interneti nuk mund të zëvendësojë konsultimin me një mjek specialist, por informacioni këtu do t’ju tregojë në përgjithësi se si funksionon i gjithë procesi.
Si të kuptoni ciklin tuaj menstrual
Kohëzgjatja e ciklit të femrave ndryshon dhe më e zakonshmja është diku midis 23 dhe 35 ditë. Ndryshimet në kohëzgjatjen e ciklit menstrual kanë më shumë gjasa të ndodhin gjatë fazës së ciklit përpara ovulimit (e cila quhet “faza folikulare”). Për shumicën e femrave, kohëzgjatja midis ovulimit (koha kur veza shkëputet nga vezorja) dhe periodave mujore është nga 12 deri në 16 ditë (kjo quhet “faza luteale”).
Cikli menstrual
Periodat
Dita e parë e ciklit tuaj menstrual është dita e parë e periodave tuaja (dita 1). Pas kësaj, periodat zgjasin zakonisht nga 3 deri në 7 ditë. Ndoshta mund të vini re që nëse keni dhimbje periodash, ato do të jenë më të theksuara në ditët e para të tyre. Kjo ndodh sepse hormonet në trupin tuaj bëjnë që mitra të largojë vetë me anë të periodave shtresën e krijuar në ciklin e mëparshëm menstrual.
Përgatitja për ovulim
Në fillim të ciklit, gjëndra e hipofizës në trurin tuaj prodhon hormonin që stimulon folikulat (FSH). Ky është hormoni kryesor i përfshirë në stimulimin e vezoreve për prodhimin e vezëve të pjekura. Folikulat janë zgavrat e mbushura me lëngje në vezoret tuaja. Çdo folikul përmban një vezë të pazhvilluar. Hormoni FSH stimulon zhvillimin e disa folikulave dhe fillimin e prodhimit të hormonit estrogjen. Niveli i estrogjenit është më i ulët në ditën e parë të periodave. Më pas, ai fillon të rritet së bashku me rritjen e folikulave.
Pavarësisht se fillimisht zhvillohen disa folikula, normalisht njëri prej tyre bëhet “dominues” dhe kjo vezë piqet brenda folikulit që rritet. Në të njëjtën kohë, sasia e rritur e estrogjenit në trupin tuaj siguron mbushjen e shtresës së mitrës me lëndë ushqyese dhe gjak. Kjo ndodh me qëllim që, nëse mbeteni shtatzënë, veza e fekonduar të ketë të gjitha lëndët ushqyese dhe kushtet e nevojshme për rritjen e saj. Nivelet e larta të estrogjenit shoqërohen gjithashtu me shfaqjen e mukusit “të përshtatshëm për spermën” (ose, për t’iu referuar me emrin teknik, “mukusi fertil i qafës së mitrës”). Kjo mund të vihet re në formën e sekrecioneve të holla e të rrëshqitshme me ngjyrë të bardhë të turbullt. Sperma mund të lëvizë më lehtë në këtë mukus dhe mund të mbijetojë disa ditë brenda tij.
Si të kuptojmë ciklin e ovulimit
Ovulimi
Niveli i estrogjenit në trupin tuaj vazhdon të rritet dhe shkakton një rritje të menjëhershme të nivelit të hormonit luteinizing (“shpërthimi i LH-së”). Ky “shpërthim” i LH-së shkakton ndarjen e folikulit dominues dhe shkëputjen e vezës së pjekur nga vezorja, nga ku hyn në gypin e Falopit. Ky proces njihet si ovulim.
Shumë femra mendojnë se ovulimi ndodh në ditën e 14-të, por dita e 14-të është llogaritur si mesatare dhe në shumicën e femrave ovulimi ndodh në fakt në ditë të ndryshme të ciklit menstrual. Dita e ovulimit ndryshon nga njëri cikël në tjetrin. Disa femra pretendojnë se ndiejnë një dhimbje therëse gjatë ovulimit, por shumë të tjera nuk ndiejnë asgjë dhe nuk ka shenja të tjera që tregojnë se ovulimi po ndodh.
Pas ovulimit
Pasi është shkëputur, veza (ose veza-qelizë) lëviz drejt mitrës nëpërmjet gypit të Falopit. Veza mund të mbijetojë për deri në 24 orë. Jetëgjatësia e spermës është më ndryshueshme, por zakonisht 3-5 ditë, pra ditët përpara ovulimit dhe vetë dita e ovulimit kanë nivel më të lartë fertiliteti – koha kur ka më shumë gjasa që të mbeteni shtatzënë. Menjëherë pas ovulimit, folikuli fillon të prodhojë një hormon tjetër: progesteronin.
Progesteroni shkakton formimin e mëtejshëm të shtresës së mitrës duke u përgatitur për vezën e fekonduar. Ndërkohë, folikuli i zbrazët brenda vezores fillon të tkurret, por vazhdon prodhimin e progesteronit dhe gjithashtu fillon prodhimin e estrogjenit. Në këtë fazë mund të përjetoni simptomat e tensionit paramenstrual (PMT) si dhimbje të gjoksit, buhavitje, plogështi, mërzitje dhe acarim.
Përgatitja për periodat vijuese…
Ndërkohë që folikuli i zbrazët tkurret, nëse veza nuk është fekonduar, nivelet e estrogjenit dhe progesteronit ulen. Me mungesën e niveleve të larta të hormoneve për ta ndihmuar në ruajtjen e shtresës së trashë të mitrës, ajo fillon të shpërbëhet dhe trupi juaj e nxjerr atë. Ky është fillimi i periodave dhe gjithashtu fillimi i ciklit menstrual vijues.
Nëse veza është fekonduar, ajo mund të implantohet me sukses në shtresën e mitrës. Kjo zakonisht ndodh rreth një javë pas fekondimit.
Menjëherë pas vendosjes së vezës së fekonduar, trupi juaj fillon të prodhojë hormonin e shtatzënisë, gonadotropinën korionike njerëzore (hCG), e cila do ta mbajë aktiv folikulin e zbrazët. Ai vazhdon të prodhojë hormonin estrogjen dhe progesteron për të parandaluar nxjerrjen e shtresës së mitrës derisa placenta (e cila përmban të gjitha lëndët ushqyese të nevojshme për embrionin) të ketë arritur pjekurinë e mjaftueshme për të mbajtur shtatzëninë.