Kur romansierët shndërrohen në historianë e historianët shndërrohen në teologë!

Muhamed Mufaku

Me befasi vërtet të madhe e lexova (me vonesë) shkrimin “Ismail Kadare godet ashpër qarqet islamike në Kosovë”, i botuar në gazetën “Zëri” me datën 18 nëntor 2014, e pastaj edhe librin e shkrimtarit tonë të njohur Ismail Kadaresë “Mëngjeset në kafe Rostand” (Tiranë 2014).

Kuptohet, Kadareja viteve të fundit po bëhet figurë problematike me esetë e tij, pasi që nuk po krijon më. Si duket, mungesën e shkrimeve të mirëfillta letrare, dhe për ta mbajtur emrin të pranishëm në opinion, merret me gjërat provokuese. E them këtë duke u bazuar në shkrimin e fundit të tij, akuzë ndaj meje, që e “fabrikon” duke u mbështetur te citati i tjetërkujt, e jo te libri im që nuk e ka lexuar dhe, besoj, as që do ta lexojë ndonjëherë. Nuk është i rastit që mu për librin e tij të fundit me ese “Mëngjeset në kafe Rostand”, u botua në Tiranë artikulli analitik i prof. dr. Hysamedin Ferajt: “Kadareja, gabi i mendimit shqiptar“, i cili ka të bëjë me temat e shtruara këtu nga Kadareja.

Nga libri i tij “Mëngjeset në kafe Rostand” është nxjerrë fragmenti që u botua te gazeta “Zëri”, ndërkaq nëse lexohet në tërësi libri me ese i shkrimtarit, e shohim Kadarenë si historian dhe, me një lloj prepotence, përpiqet të bindë opinionin se vetëm ai e di mirë historinë e kombit tonë, se vetëm ai ndan thirrje shkencore kush është historian e kush nuk është historian, etj. Por, për fat të keq, këtu “historiani” nxjerr gjykime e akuza të rënda në bazë të trillimeve dhe të gjysmë të vërtetave kundër meje, sa që (kësaj i thonë ironi) më nxjerr “pranë Serbisë në orët e këqija të saj”, kurse dihet ç’fushatë ishte kundër meje në shtypin serb pas 1981, kur Kadareja ishte figurë e privilegjuar e regjimit monist në Shqipëri.

Deri tani Kadareja u shfaq me qëndrime antiturke, antiaziatike, antikomuniste e antiislame, që i lidh ato me mjeshtëri, kurse tani merret me “makthin” e “arabizmit” të shqiptarëve. E për këtë niset nga disertacioni im “Lidhjet letrare shqiptare-arabe” që u mbrojt në Universitetin e Prishtinës në vjeshtë të vitit 1981, dhe u botua si libër në Tiranë më 2009. Pasi që në hyrje është dashur të shkruhet për lidhjet historike është përmendur një traditë e pasur që trashëgohej me shekuj te shqiptarët e te arabët për “prejardhjen arabe të shqiptarëve”. Edhe pse në disertacion flitet shprehimisht se “këto mendime nuk marrin vlerë shkencore” (f. 28 nga disertacioni i botuar në Tiranë), Kadareja kapet me një fragment për të dëshmuar tendencën e re të rrezikshme për “arabizmin” e shqiptarëve!

Kadareja në vend që të lexojë librin tim, ai mbështetet në një vështrim të librit të tjetrit “Shqiptarët në botën arabe” nga orientalisti shqiptar Ermal Bega, për ta shndërruar në përrallë satirike në stilin kadarejan. Kadareja, me fjalë të tjera, nuk mbështetet në librin tim, sepse për traditën e përmendur aty e kam si burim librin e A. Stipçeviqit “Ilirët” që tregon versionin e hershëm fenikas-grek e legjendës për djalin e mbretit fenikas Agnor, i cli doli në Perëndim për të kërkuar motrën e vet të humbur, Europën, prej nga kontinenti e mori emrin që do të thotë Perëndim në gjuhën fenikase, por në Ballkan u vendos dhe u martua duke pagëzuar djalin e tij të parë me emrin Ilir.

Për të dëshmuar se kjo tezë (prejardhja arabe e shqiptarëve) lindi me porosi në kohë të duhur për shqiptarët (pas demonstratave të marsit 1981), Kadareja nuk ngurron të trillojë gjithçka. Ai, për momentin që atij i është dashur të tregohet historian, nga shkrimet e disertacionit në fjalë (që, po e përsëris, nuk e ka lexuar) paraqet këtë skenë si të ishte pjesë e historisë, e jo pjese e ndonjë romani të tij. Ja çfarë shkruan: “Në universitetin gjysmë të braktisur, ndërsa shokët copëtoheshin nga tanket, në një kthinë të heshtur, një student nga Peja vijonte të shkruante doktoratën e vet “Zanafilla arabe e shqiptarëve”. Është doktor i ardhshëm Muhamed Mufaku. Ai që do t’i gjendej pranë Serbisë në orët e këqija të saj. Më pranë se tanket. Doktorata e Mufakut tridhjetë e ca vite më parë dëshmon se projekti i turqizmit të Shqipërisë nuk ka qenë asnjëherë një frymëzim i rastit” (f. 172).

Sikurse shihet këtu, Kadareja nuk ngurron të më shpallë për tradhti sa që jam gjendur “pranë Serbisë në orët e këqija të saj”, madje “më pranë tankeve”, që është baras me një dënim me vdekje morale. Mirëpo, këtu “historiani” Kadare nuk përfill të vërtetat e njohura, se disertacioni në fjalë (mund të shikohet e vërtetohet në arkivin e F. Filozofik) u krye në fund të vitit 1980 e u formua komisioni përkatës në fillim të vitit 1981. Për shkak se në komision ishte një profesor shqiptar nga Universitetit i Stambollit (Nezif Hoxha), procedura për mbrojtjen u vonua deri në tetor të vitit 1981. Po ashtu, menjëherë pas mbrojtjes së disertacionit filloi edhe fushata e shtypit serb kundër meje, për çka jam detyruar ta lëshoj Kosovën në verë të vitit 1987.

Përkundër trillimeve, Kadareja i jep vetes të drejtë të vendosë kush është historian e kush nuk është. Ai me “respekt” tregon emrin tim të plotë, kurse nuk tregon as emrin e historianes së njohur franceze Nathalie Clayer, duke e konsideruar “historiane amatore” pse e përdor nëntitull “Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë” për veprën e saj kapitale “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar”. Për Kadarenë, pra, është trillim të thuhet një e vërtetë (komb me shumicë myslimane në Evropë), kurse N. Klayer do të bëhet “historiane profesionaliste” nëse thotë sikur dëshiron Kadareja. Është edhe një intencë tjetër të më shmangë nga profesioni shkencor i historianit që merrem tërë jetën. Në “Zëri” jam shndërruar edhe në teolog, ku thuhet se Kadareja në këtë libër të ri “godet disa teologë të islamit në Kosovë, të cilët i akuzon për tjetërsimin e identitetit shqiptar”, ndërkaq në librin e tij Kadareja nuk sulmon me emër ndokënd tjetër në Kosovë, përveç meje. Për një “historian” si Kadare jam “dikush nga Peja”, pra nuk jam anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe bartës i Medaljes Presidenciale për Merita më 2012, me një stazh pune universitare 40-vjeçare e me shumë libra për Shqipëri e Kosovë në mesin e tyre edhe autor i librit “Kadareja në mes të letërsisë dhe politikës” që doli në Amman më 2005 dhe u shit shumë shpejt. Tani, pas këtij libri të fundit të Kadaresë po më duket shumë e arsyeshme të nxirret sa më shpejt një ribotim i librit në fjalë, kuptohet me plotësime të reja.

Artikulli paraprakPrej Qabesë në Medine
Artikulli vijuesHimni i flamurit dhe strofat e harruara