Kurteshi: Nxënësit serbë në Kosovë mësojnë se Kosova është krahinë e Serbisë

Deputeti i VV-së, Ismajl Kurteshi ka ngritur çështjen e teksteve të historisë që nxënësit serbë mësojnë në Kosovë.

Sipas Kurteshit, Komisioni për Arsim ka konstatuar se një numër i madh i teksteve të serbëve janë në kundërshtim dhe paraqesin shkelje të Kushtetutës së Kosovës, pasi që tekstet e historisë mësojnë se Kosova është krahinë e Serbisë.

Kurteshi e ka pyetur ministrin e Arsimit, Arsim Bajrami se çka kanë bërë për këto tekste që përhapin urrejtje.

Ministri Bajrami tha se ë bazë të ligjit shkollat serbe kanë të drejtë të përdorin tekstet e Serbisë por të verifikohen në Ministri të Arsimit.

Sipas tij, ministria ka bërë rishikimin e teksteve dhe ka ardhur në përfundim se nuk janë në pajtim me sistemin arsimor të Kosovës dhe janë dhënë rekomandime që të përmirësohen tekstet.

“MASHT është në koordinim me faktorët ndërkombëtar sepse kjo çështje i tejkalon kompetencat e Ministrisë dhe jemi në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar për integrimin e plotë të këtyre shkollave. Analiza e përgjithshme në shkollat serbe po bëhen që të përfshihen këto shkolla brenda sistemit arsimor të Kosovës”, tha ministri Bajrami.

Edhe deputetja e Nismës, Shukrije Bytyqi, ka akuzuar ministrin Bajrami se në Ministrinë e tij ka të punësuar familjarë dhe pa asnjë kriter.

Por Bajrami tha se në Ministrinë e Arsimit ka më së paku të punësuar me kontratë mbi vepër.

Artikulli paraprakVjedhjet në dhomën e dëshmive të Policisë, edhe pas shtatë vitesh pa përgjigje
Artikulli vijuesPse Amerika po heq dorë nga Kristofer Kolombo?