Kushtet e mjerueshme të refugjatëve në Idomeni, shkaktojnë rrëmuja

Shoferi i kamionit që në momentet e para braktisi kamionin, ndërsa për një kohë të shkurtër qindra refugjatë, përfshirë edhe fëmijë rrethuan kamionin dhe përpiqeshin që të marrin sa më tepër drunj

 

IDOMENI (AA) – Në qendrën për pritjen e refugjatëve në Idomeni, e cila ndodhet në vendkalimin kufitar greko-maqedonas, gjendja e refugjatëve vazhdon të përkeqësohet çdo ditë e më shumë, për shkak se numri ka arritur rreth 13 mijë refugjatë dhe nevojat e tyre themelore për jetesë nuk mund të sigurohen, raporton Anadolu Agency (AA).

Përpos rradhëve të gjata për ushqim dhe trajtim mjekësor, në momentin kur arriti një kamion me drunj të zjarrit shkaktoi rrëmujë të madhe tek refugjatët, të cilët uzurpuan kamionin në hyrje të kampit dhe morën të gjithë drunjtë në të.

Shoferi i kamionit që në momentet e para braktisi kamionin, ndërsa për një kohë të shkurtër qindra refugjatë, përfshirë edhe fëmijë rrethuan kamionin dhe përpiqeshin që të marrin sa më tepër drunj.

Ndërkohë një grup refugjatësh arriti të hip mbi kamion dhe filluan të hedhnin drunjtë prej lartë të afërmëve të tyre. Në kohën kur refugjatët përpiqeshin të sigurojnë sado pak drunj për ngrohje, ata lëndoheshin duke u shtyrë mes veti, por ndodhte që edhe goditeshin me drunj nga personat që hidhnin nga lartë. Mirëpo kjo nuk i largonte refugjatët nga kamioni, deri kur kamioni u zbraz i tëri.

Nga ana tjetër, rradhët e gjata të refugjatëve vërehen edhe në pritje për ushqim, trajtim mjekësor, si dhe për të kaluar kufirin nga Greqia në Maqedoni. Organizatat humanitare që veprojnë në Idomeni thonë se kampi nuk ka kapacitet për një numër kaq të madh të refugjatëve dhe për këtë arsye nuk mund t’u sigurojnë as nevojat themelore për jetesë.

Shumica e refugjatëve në këto netë të ftohta flenë nëpër tenda të vogla apo çanta gjumi. Rreth 1 mijë refugjatë të rinj arrijnë në Idomeni çdo ditë, ndërsa në territorin e Maqedonisë kalojnë vetëm rreth 500 refugjatë në ditë.

Artikulli paraprakTurqia dhe Guinea nënshkruajnë disa marrëveshje, Erdoğan ofron mbështetje për shtetin afrikan
Artikulli vijuesAfganistan, dy shtetas turq humbën jetën në një sulm të armatosur