Ky është opsioni B i Enver Hasanit!

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani assesi nuk do të mbetet i “papunë” edhe pas skadimit të mandatit në krye të instancës më të lartë gjyqësore në vend. 
 
Ndonëse planet e tij kanë qenë që ai të vij në pozitën e Kryeprokurorit, megjithatë ky plan duket se nuk do t’i realizohet.
 
Dy janë pengesat kryesore për realizimin e kësaj “ëndrre”.
 
Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime të afërta me zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të shtetit. Sipas këtij burimi, pengesa e parë për zgjedhjen e Enver  Hasanit në krye të organit të akuzës paraqet aspekti ligjor, për faktin se me ligjet aktuale për të qenë në pozitën e kryeprokurorit secili kandidat duhet të ketë qenë prokuror. Hasani asnjëherë nuk ka punuar si prokuror e as si gjyqtarë.
 
“Njerëzit e PDK-së i patën dhënë mbështetje të fuqishme Hasanit për të ardhur në krye të organit të akuzës, mirëpo për shkak se nuk do të jetë aq i lehtë ndryshimi i legjislacionit, si dhe presioni që mund të vij nga opinioni publik, sidomos nga mediet dhe opozita, ka bërë që të hiqet dorë nga ky pretendim”, ka thënë ky burim.
Edhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi në një deklaratë që e ka dhënë për medie ka thënë se në pozitën e kryeprokurorit mund të vijnë vetëm ata kandidatë që kanë punuar prokuror, duke ia “shuar” kështu shpresat Enver Hasanit.
 
Dhe pengesa e dytë, sipas burimeve të Gazetës Blic që Enver Hasani nuk mund të jetë në krye të Prokurorisë së Shtetit, është Isa Mustafa. Kryeministri i vendit, nuk ka raporte të mira me Hasanin që nga koha kur është marrë vendimi që zgjedhja e Mustafës në krye të Kuvendit, është cilësuar si jo kushtetuese.
Megjithatë, PDK nuk do ta lë Enver Hasanin me gishta në gojë.
 
Deri më tani partia e drejtuar nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli ia ka dhënë disa propozime Enver Hasanit, pas përfundimit të mandatit në krye të Gjykatës Kushtetuese, që pritet të ndodh në qershor.
 
Hasani momentalisht si plan B, e ka shkuarjen si ambasador në ndonjë nga vendet evropiane, më saktësisht në vendet skandinave. “Hasanit i janë dhënë disa opsione të mira. Mirëpo, duket se ai do të përzgjedh pozitën e ambasadorit”, tha ky burim.
 
Gazeta Blic ka provuar që të kontaktoj me Enver Hasanin për të marrë vesh se cili do të jetë vendimi për të ardhmen e tij pas përfundimit të mandatit në krye të Kushtetueses, mirëpo kontakti më të ka qenë i pamundur.
Enver Hasani ka qenë në thumb të kritikave nga ana e partive të Blloku LVAN, pas vendimit që Gjykata Kushtetuese kishte marrë duke ia njohur vetëm PDK-së të drejtën për të pasur kryetarin e Kuvendit.
 
Hasani po akuzohet edhe nga ana e Avokatit të Popullit, Sami Kurteshi për falsifikim të nënshkrimeve me rastin e vazhdimit të mandatit të gjyqtarit amerikan në Gjykatën Kushtetuese. Kurteshi, madje ka akuzuar presidenten e vendit, Atifete Jahjaga dhe shefin e EULEX-it se po e pengojnë në hetimin e këtij skandali./ Gazeta Blic/.kohaislame
Artikulli paraprakÇmenden grekët: Gjermania na ka borxh … 332 miliardë euro!
Artikulli vijuesBozkir: Vetëm Turqia do të jepte 60 mijë trupa për ushtrinë evropiane