“Lebbejke…”, që lidh Shkodrën me Qaben e Madhnueshme…

Dita e sotme, e xhumaja e parë e shtatorit 2016, nisi me emocionet e përcjelljes së haxhilerëve të këtij viti. Sivjet, rreth 40 besimtarë, djem të rinj, burra e gra, iu përgjigjën thirrjes së telbijes, me zemër thanë: “Lebbejkall-llahumme lebbejke” e, drejt Mekës e Qabes së Madhnueshme, u nisën me zemër, para se të shkelnin tokën e bekuar…

Asht i papërshkrueshëm emocioni që të rrethon në kësi lloj takimesh. Asht emocioni i udhëtimit më të ëndërruar e më të dashur për çdo musliman, në çdo cep të botës… Për këtë, është krejt e kuptueshme se pse njerëzit emocionohen, përloten, mallëngjehen e, dashje pa dashje, në një mënyrë a një tjetër, nëpërmjet mirazheve përfytyruese, e shohin veten në Mekë, para Qabes së Madhnueshme, në Medinen e Ndriçuar, por jo vetëm…

E xhumaja e parë e këtij shtatori erdhi me prekjet e telbijes, të cilat, teksa përhapeshin nga minaret e xhamisë së Parrucës, e rrethonin Shkodrën me një shtresë begatuese, në hapësirat e së cilës, kushdo e gjithçka dëshmonte thirrjen e përuljes e atë të Dashnisë sublime, para duarve të Krijuesit Mëshirëplotë: “Lebbejke…” – “Të përgjigjem o Zoti im, të përgjigjem!”…
Është thirrja më e shtrenjtë, që ruan ekuilibrat e jetës, ato të Paqes, Harmonisë e Vlerave më të plota humane, përzier me bekimet e të Plotfuqishmit!

Është thirrja e optimizmit, që mund pesimizmin, mjegullnajat e realiteteve imponuese, çdo të keqe në jetë, sado që njeriu beson se, kjo botë e ky univers e kanë Një Zot, që sheh e dëgjon, që shpërblen e ndëshkon, që jep e merr, që bekon me mirësitë e Tij rrugëtuesit në drejtim të paqes e paqtimit.., besimtarët e vërtetë në “Lebbejke…”!

Sot, më 2 shtator 2016, me telbije në gojë, me lutjet e prindëve të shtrenjtë, besimtarëve të dashur, familjarëve, miqve e qytetarëve të Shkodrës besimtare, thamë me zemër: “Bismil-lah!” e, bashkarisht, u nisëm drejt ma të mirit e ma të bekuarit vend të botës tonë, për kryerjen e haxhit të sivjetshëm..!

Lebbejkall-llahumme lebbejke…

(Rrugë të mbarë, Haxhilerë të Shkodërloces, Shqipërisë e mbarë ymmetit tonë islam!)

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër-Mekë, 2-3 shtator 2016

Artikulli paraprakPse shkolla është më e rëndësishmja
Artikulli vijuesPse duhet të vraponi çdo ditë