Për shkak të stërzgjatje së bisedimeve rreth zgjedhjes së prokurorit special dhe duke qenë të bindur se ky nivel i politizimit të gjendjes në Maqedoni, do të pamundësojë zgjedhjen e një prokurori special i cili do të ketë kredibilitetin, por edhe besueshmërinë nga të gjitha palët se do të hetojë rastet kaq të ndjeshme që kanë të bëjnë me materialet e përgjuara, Lëvizja BESA edhe një herë rikujton propozimin e saj të proklamuar te platforma e saj “Ridefinimi” qysh në mars të vitit 2015 duke qenë e bindur se ajo është zgjidhja më e mirë e mundshme konform situatës aktuale. Pra, në pikën 3 të kësaj platforme thuhet:
“Themelimi i Prokurorisë Speciale të pavarur me prokurorë eminentë ndërkombëtarë dhe të vendit, për hetimin e hipotekave të deritanishme në bazë të materialeve të LSDM-së dhe akuzave të VMRO-DPMNE-së për puç”.
Pra, Lëvizja BESA propozon që bartës i kësaj prokurorie të jetë një prokuror eminent ndërkombëtarë kurse në ekipin e tij përveç prokurorëve me renome ndërkombëtare të ketë edhe prokurorë vendorë. Kjo prokurori duhet të ketë buxhetin e saj dhe dyert e hapura të institucioneve që të hetojë të gjitha rastet pa asnjë pengesë nga organet qeveritare.