Lëvizja BESA: Vendimi i Kushtetueses – dëshmi se në këtë shtet ka perënduar drejtësia

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, ku me shumicë votash u miratua vendimi për shfuqizimin dhe ndryshimin e ligjit për falje të vitit 2009, është një prej goditjeve më të rënda që i janë bërë sistemit të drejtësisë. Nuk mund të jetë i qëndrueshëm asnjë argument për shfuqizimin e këtij ligji, nga i cili do të përfitojnë keqbërës të ndryshëm, duke i hapur rruga Presidentit të shtetit që të falë edhe veprat që kanë të bëjnë me shkeljen e rregullave të kodit zgjedhor, si dhe veprat e tjera të rënda penale, që ndërlidhen me pedofili dhe tregti të paligjshme.

Lëvizja BESA e dënon ashpër këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe njëherazi e përshëndet profesionalizmin e gjykatësve shqiptarë, të cilët, njësoj si edhe në procese të tjera të ndjeshme gjyqësore, me votën e tyre kundër shfuqizimit të këtij ligji, dëshmuan se dinë të jenë profesionistë dhe të denjë për pozitat vendimmarrëse. Madje, në frymë të mbrojtjes së drejtësisë, pasi që kjo gjykatë është vënë në shërbim të mbrojtjes së një partie politike maqedonase, do të ishte e udhës që ata profesionalizmin e tyre ta dëshmojnë edhe duke u tërhequr nga kjo gjykatë e politizuar.

Në një vend ku Gjykata Kushtetuese prodhon padrejtësi, tipari i tij kryesor do të ishte diktatura. Prandaj Lëvizja BESA po shqyrton mundësinë që të bëjë thirrje edhe padëgjueshmëri dhe bojkot ndaj gjithë sistemit të drejtësisë në Maqedoni.

Artikulli paraprakJa mesazhi i fundit i Mirsad Ndrecajt dërguar Ali Ahmetit (Foto)
Artikulli vijuesRefugjatëve në Idomeni po iu përfundojnë rezervat ushqimore