Lidhjet e (jo)rastësishme të gjakut në diplomacinë kosovare

Shërbimet diplomatike të Kosovës janë kritikuar vazhdimisht se janë joefikase dhe se në misione diplomatike janë zgjedhur persona që kanë lidhje me partitë politike dhe familjarë të politikanëve që janë në pushtet.
 
Është raportuar edhe për skandale të ndryshme të këtyre zyrtarëve, kujtojmë rastin e diplomantit Urtak Hamiti, që ka “rastis” të jetë djali i deputetit dhe njërit nga njerëzit kryesor në të LDK-së Sabri Hamitit. Ai ishte arrestuar rrugëve të Zagrebit në gjendje të dehur, pasi që me veturën e tij ka bërë dëmtime të pronës publike dhe ka rrezikuar qytetarët.
 
Ka pasur edhe raste të tjera të konflikteve brenda ambasadave, siç është rasti me ambasadën e Kosovës në Gjermani, ku motra e deputetes së PDK-së Ganimete Musliu, që ka qenë sekretare e parë e ambasadës së Kosovës në Berlin, Fatmire Musliu ka “rastis” të jetë në shërbim diplomatik dhe ka pasur konflikt me ambasadorin Vilson Mirdita, përkatësisht është raportuar se e ka sulmuar edhe fizikisht ambasadorin në fjalë.
 
Rast tjetër është edhe avancimi i Leonita Harxhit, që edhe kjo ka “rastis” të jetë motra e bashkëshortes së ish-ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çekut. Ajo pas tri vitesh asistente në Ambasadën e Kosovës në Bruksel, është avancuar në pozitën e zëvendëskonsull. Agim Çeku, pasi pati kaluar në PDK nuk e ka “harruar” edhe motrën Ifetën, ajo është sekretare e dytë në ambasadën e Kosovës në Tiranë. Në këtë ambasadë është rehatuar si këshilltar edhe ish-deputeti i AKR-së së Pacollit, Esat Brajshori.
 
Ndërsa Bubulina Krasniqi, motra e Ministrit Memli Krasniqi, është rehatuar konsulle në ambasadën e Kosovës në Bullgari.
 
Këto janë vetëm disa nga rastet e punësimeve të familjarëve në misione diplomatike, pasi që numri i tyre konsiderohet të jetë shumë më i madh.
 
Por pozitat më të larta si të ambasadorëve u janë dedikuar bashkëpartiakëve. Pothuajse të gjithë ambasadorët kanë marrë së pari “bekimin” e partive në pushtet për poste të tilla. Ata janë ndarë nga dy partitë (LDK dhe PDK) që kanë qenë në pushtet kur kanë filluar misionet diplomatike.
 
Ndërsa në një hulumtim të Preportr, janë evidentuar tetë ambasadorë me lidhje zyrtare me partitë politike. Pesë nga ta vijnë nga PDK, një nga LDK, një nga AKR një nga ish-partia ORA. Disa nga ta tashmë nuk janë në këto pozita. Sipas këtij hulumtimi, të dërguar nga partitë politike janë edhe 3 konsuj dhe 1 zv.konsull, prej të cilëve, 3 janë të PDK-së ndërsa 1 i Partisë së Drejtësisë.
 
Përfaqësuesit diplomatik dështuan ta përfaqësojnë Kosovën
 
Faik Krasniqi, politolog dhe publicist, ka thënë për tesheshi.com se përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës jo vetëm dështuan që  t’ia përmirësojnë imazhin vendit në arenën ndërkombëtare, mirëpo disa diplomatë me veprimet e tyre e rrënuan edhe më shumë një imazh të tillë. Ai thotë se vetëm po t’i kujtojmë skandalet që krijuan këta diplomatë nëpër vende të ndryshme të botë, mjafton të shihet se çfarë njerëz jokredibil janë dërguar në këto shtatë vite pavarësi nga PDK-ja, prej vitit 2007.
 
“Përveç se prodhuan me dhjetëra skandale dhe ia prishën imazhin Kosovës në botë, këta diplomatë për shtatë vite pavarësi, nuk ishin në gjendje ta sjellin një investitor të jashtëm, për të investuar në Kosovë. Në vend se në ambasada dhe konsullata të dërgohen atashe ekonomik (njohës të çështjeve ekonomike), për të cilët Kosova ka nevojë, pasi kemi probleme të mëdha ekonomike dhe na duhen investime të jashtme, ato u mbushën me familjarë dhe militantë të tyre, e shumica prej tyre pa qenë njohës të asnjë fushe”, thotë Krasniqi.
 
Sipas tij, gjatë këtyre dy mandateve të udhëhequra nga PDK-ja, misionet diplomatike të Kosovës u shndërruan në “çerdhe” për punësimin e familjarëve, grave, burrave, motrave, vëllezërve, dajëve, tezeve, hallave, axhallarëve, kushërinjve, balldëskave, asistent/e -ve, sekretareshave dhe militantëve partiakë, duke e anashkaluar kështu dërgimin e personave më kompetentë në Ambasada!
 
“Ambasadat dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë, u bën ”strehë” e lloj-lloj injoranti dhe analfabeti! Madje shumë prej diplomatëve kosovarë u dërguan në vendet e ndryshme të BE-së pa qenë në gjendje të komunikojnë në gjuhën angleze. Derisa nuk dërgohen njerëzit kredibil për ta përfaqësuar Kosovën, në arenën ndërkombëtare, s’do kemi kurrë përfaqësim dinjitoz dhe asgjë të mirë nuk do i sjell shtetit të Kosovës, por vetëm skandale të turpshme!”, u shpreh Krasniqi.
 
Të emëruarit në shërbime diplomatike nuk i plotësojnë as kriteret minimale
 
Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike ka thënë për tesheshi.com se të gjitha qeveritë pas pavarësisë e kanë shndërruar shërbimin e jashtëm në një çerdhe partiake.  Si pas tij, shumë prej të emëruarve në shërbimin e jashtëm, për ketë arsye, nuk i plotësojnë as kriteret minimale të integritetit dhe të profesionalizmit dhe kjo bën që ambasadat e Kosovës të mos mund të përfaqësojnë vendin tonë denjësisht.
 
“Një gjë të tillë e dëshmon edhe performanca shumë e ulët e shërbimit diplomatik, sidomos sa i takon diplomacisë ekonomike/tregtare por edhe diplomacisë publike. Me ketë kredibilitet të humbur, shërbimi diplomatik i Kosovës vështirë se mund të ngritët në nivelin e kërkuar të detyrës pa pas kaluar nëpër një reforme rrënjësore”, thotë Korenica.
 
Ndërkaq, analisti Blerim Burjani ka thënë për tesheshi.com se Ministria e Jashtme është karakterizuar me plot dështime dhe deri më tash nuk ka ofruar asgjë që do të kishte ndihmuar shtetin. Sipas tij, çështja e fusnotës, paaftësia për të ballafaquar me Serbinë me dialogun solli këtë fusnotë, askund kjo diplomaci nuk e bind se Kosova s’ka nevojë për fusnotë dhe alternativa tjera që zbehin shtetësinë e Kosovës.
 
“Dështimi i diplomacisë ekonomike asgjë në ketë drejtim, asnjë lobim për të sjellë në Kosovë investitorë të huaj, askënd nuk arritën ta bindin pse duhet investuar në Kosove? Diplomacia e Kosovës përbehet nga militantë partiak, që i ka shpërblye partia e vet si përkthyes të Hashim Thaçit në Britani, familjar  të Agim Çekut,  e shumë  njerëz partiak të të gjitha partive politike, ky shërbim kërkon reformim të plotë kadrovik dhe dërgim të njerëzve të karrierës e jo njerëz e kategori sociale për të zgjidhe probleme familjare”, u shpreh  Bujrani. /tesheshi.com/
Artikulli paraprakDalin fotot e para, ja si është konceptuar iPhone 7
Artikulli vijuesSa ujë duhet të pijmë, bazuar në peshën që kemi?