Ligjërimi populist stigmatizon myslimanët europianë

Thomas Hammarberg*

 

Vendet e Europës, të ngërthyer nga deficititet buxhetore, përballen me një tjetër krizë: atë të thërmimit të vlerave humane. Rritja e intolerances përkundrejt myslimanëve është njëra prej këtyre simptomave. Referendumi zviceran që ndaloi ndërtimin e minareve nuk përbën një rast të veçantë: anketat në disa shtete europiane tregojnë se për myslimanët dhe kulturën islame bartet imazh negativ, ndërkaq që ata frymëzojnë frikë dhe dyshim.

 

Këto pragjykime islamofobe, të kombinuara me qëndrime raciste, drejtohen kryesisht ndaj individëve me origjinë nga Turqia, vendet arabe apo ato të Azisë jugore. Në plot vende europiane, myslimanët me prejardhje nga këto vende janë subjekt diskriminimesh në tregun e punës dhe në sistemin e edukimit. Raporte të ndryshme tregojnë se ata janë shënjestër e preferuar e organeve të policisë, të cilat i detyrojnë t’u nënshtrohen verifikimeve të vazhdueshme të identitetit dhe kontrolleve të imëta. Problemi që ngrihet është i rëndë në këndvështrimin e të drejtave të njeriut.

Gjatë zgjedhjeve të fundit, parti politike ekstremiste fituan terren pas fushatave agresive islamofobe. Inercia apo konfuzioni që, në kushte të tilla, duket se ka kapluar partitë tradicionalisht demokratike, është ende më shqetësuese. Përmes pranimit të kompromiseve të caktuara, paragjykimet banale dhe ksenofobia e hapur kanë fituar një lloj pamjeje legjitimiteti.

Përgjigja e opinionit publik: të kufizohen liritë fetare të myslimanëveKur presidenti gjerman Christian Wulff, gjatë një fjalimi të kohëve të fundit, përkujtoi një realitet të prekshëm, duke pohuar se Islami, ashtu si edhe Krishterimi e Judaizmi, është pjesë e peizazhit kombëtar, fjalët e tij ndezën polemikë. Sipas një gazete, dy të tretat e gjermanëve nuk pajtoheshin me qëndrimin e tij.

Në një anketë më ambicioze të ndërmarrë nga fondacioni Friedrich Ebert Stiftung, 58% e të pyeturve mendonin se “të drejtat fetare të myslimanëve në Gjermani duhet të kufizohen seriozisht”. Ndonëse jo fort i qartë, ky pohim mbështet asgjësimin e lirisë fetare për një grup të caktuar, në rastin konkret, për myslimanët. Fakti që një përqindje e lartë individësh zgjodhën këtë përgjigje përbën një shenjë të keqe.

Interesante është se, rezultatet e anketës shfaqin një dallim të konsiderueshëm midis krahinave. Në pjesën lindore të vendit, ku përqindja e pranisë myslimane është shumë më e vogël, mbështetja për kufizimin e lirisë fetare të myslimanëve është 76%. Distanca dhe injoranca duket se shërbejnë për të rritur dyshimet.

Politikanët nuk duhet të lundrojnë mbi dallgën populiste

Dukuria është e përgjithshme: injoranca ushqen paragjykimet. Politikanët, në përgjithësi, kanë dështuar në përballjen e tyre me stereotipet islamofobe. Sigurisht që kjo është bërë më e vështirë pas atentateve terroriste në Nju Jork, Madrid, Londër, Amsterdam, e po ashtu në Beslan e Moskë. Megjithatë, emocionet e shkaktuara nga këto krime të tmerrshme, bënin të domosdoshme përpjekje sistematike për të qartësuar dallimin midis keqbërësve dhe shumicës dërrmuese të myslimanëve. Por përpjekjet për ta bërë këtë dallim kanë qenë të rralla.
Po ashtu, pak i është dhënë një përparësi e mjaftueshme analizimit të faktorëve që shtyjnë persona të caktuar të bien pré e propagandës së urrejtjes kundër myslimanëve. Injoranca, frika dhe frustrimi e shpjegojnë pjesërisht këtë reagim, gjithë sikurse shpjegojnë intolerancën ndaj romëve dhe emigrantëve në përgjithësi. Dihet tashmë se minoritetet shpesh kthehen në valvula shkarkimi për pakënaqësitë e njerëzve që ndjehen të anashkaluar dhe të lënë pasdore prej pushtetit. Është e rëndësishme të kuptohet plotësisht kompleksiteti i kësaj dukurie.
Presidenti Wulff është padyshim në anën e së drejtës: Islami është tashmë pjesë e kulturës sonë. Myslimanët në Europë – rreth 1.6 milion në Britani, 3.8 milionë në Gjermani, 5 milionë në Francë dhe 15-20 milionë në Rusi – kontribuojnë në ekonomitë dhe shoqëritë tona. Ata jetojnë në vendet e tyre. Një shumicë prej tyre kanë lindur në këto vende dhe pjesa më e madhe nuk janë posaçërisht fetarë, dhe një pakicë fare e vogël mund të cilësohen si islamistë.

Intoleranca nuk bën pjesë në vlerat europiane

Në disa vende të Europës, grupe të ndryshme myslimanësh kritikohen prej aktorëve politikë se nuk “asimilohen”. Integrimi ndërkaq, nuk është një proces i njëkahshëm, por një ndërmarrje e bazuar në reciprocicet dhe në mirëkuptim të ndërsjelltë. Sektarizmi kundër myslimanëve është kthyer në një pengesë madhore për një marrëdhënie repektueshmërie. Klima islamofobe mund të ketë qenë ndoshta një faktor i cili, në raste të caktuara, u ka mundësuar ekstremistëve të rekrutojnë të rinj të zemëruar dhe me probleme të pazgjidhura përkatësie.

Në vend të diskutimeve serioze rreth këtyre problemeve, ne hapëm debate për të penalizuar gratë që mbajnë nikab dhe për të ndaluar ngritjen e minareve. Padyshim, nuk janë këto metodat që i japin kuptim vlerave tona europiane.

Thomas Hammarberg është Komisioneri për të Drejtat e Njeriut, një institucion i pavarur, jovendimmarrës pranë Këshillit të Europës, i mandatuar të nxisë ndjeshmërinë dhe respektin për të drejtat e njeriut në 47 shtetet anëtare të këtij Këshilli.

Artikulli paraprakNoel Malcolm: “komunistët, jo osmanllitë, janë përgjegjës për të ligat e Ballkanit”
Artikulli vijuesRetorika e urrejtjes ndaj Myslimanëve nxit dhunën.