Edhe pas propozimit të amendamenteve, VMRO-DPMNE-ja vazhdon të akuzojë shumicën parlamentare se po sjell ligj i cili Maqedoninë e bën dygjuhësore.
Sipas partisë së Nikolla Gruevskit, qeveria e LSDM-së me këtë ligj po cenon Kushtetutën e vendit dhe po shkatërron bashkëjetesën në Maqedoni. Opozita pretendon se për këtë ligj është shkelur procedura dhe rregullorja Parlamentare.
LSDM-ja keqpërdori flamurin Evropian për imponimin dhe zbatimin e ligjit për dygjuhësi. LSD gënjeu qytetarët e Maqedonisë dhe keqpërdori vlerat Evropiane me qëllim realizimin e detyrimeve të dala nga platforma e Tiranës- deklaroi Darko Kostovski, VMRO-DPMNE.
Lidhur me paralajmërimet për protesta të mundshme para Kuvendit, nga partia e Gruevskit theksojnë se nuk kanë informacion për protesta apo bojkot para Kuvendit. Një ditë më parë, disa qytetarë vendosën tenda para Kuvendit në shenjë revolte ndaj propozim-ligjit për përdorimin e gjuhëve, por më pas u tërhoqën.
Për sot ishte caktuar mbledhja e Komisionit për Çështje Evropiane, por i njëjti u anulua një ditë më parë. Arsye për anulimin e mbledhjes së Komisionit amë për këtë ligj, sipas shumicës është festa, respektivisht dita e alfabetit shqip. Komisioni mund të mblidhet më 23 nëntor, ku edhe do të fillojë me leximin e amendamenteve të propozuara. Për propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve, VMRO-DPMNE-ja ka propozuar 83 amendamente, LSDM-ja 4 ndërsa Lëvizja Besa 2 amendamente. Derisa opozita pretendon se gjuhë zyrtare për procedura, dokumente dhe materiale tjera gjyqësore duhet të mbetet vetëm gjuha maqedonase si dhe duhet hiqet neni i cili obligon që uniformat e forcave të rendit të jenë në dy gjuhë, LSDM-ja propozon uljen e gjobave për institucionet që nuk respektojnë këtë ligj. Debati në Komisionin amë zgjatë tre ditë, pastaj ligji kalon në Komisionin juridiko-ligjvënës dhe më pas edhe në seancë plenare.