Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, i shoqëruar nga nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, kanë vizituar Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” (KUR) ku janë pritur nga kryeshefi Ekzekutiv, Ilir Abdullahu, raporton Ekonomia Online.
Më pas ata kanë vizituar fabrikën e ujit në fshatin Shkabaj. Lluka pas takimit tha se janë të përkushtuar që të investojnë në humbjen sa më të vogël të ujit, e cila aktualisht është 57 për qind.
Sipas tij, kjo humbje kryesisht bëhet për shkak të kyçjeve ilegale si dhe të matësve që mund të mos e matin mirë sasinë e shpenzuar të ujit. “Diskutuam problemet, siç janë inkasimi që është 85 për qind defi më tani, e që është i kënaqshëm deri diku, për shkak se përfshihen edhe rasteve sociale që nuk paguajnë, por që deri më tani nuk ka ndonjë plan deri më tani për mbulimin e këtyre shpenzimeve. Por humbjet janë 57 për qind diku dhe jemi duke shikuar metodat, pra një plan, se si zvogëlojmë këto humbje”.
Nënkryetari i komunës së Prishtinës Selim Pacolli, tha se bashkë me qeverinë janë duke punuar që të gjithë qytetarët të furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë. Ndërsa, kryeshefi Ekzekutiv i KRU ”Prishtina”, Ilir Abdullahu, tha se janë të kënaqur me furnizimin deri më tani, por se shpreson që edhe më tutje të punohet në mënyrë që të zvogëlohen humbja e ujit. “Ajo çfarë neve na intereson është që konsumatorët t’i shlyejnë obligimet që i kanë ndaj ujësjellësit dhe të ketë furnizim të mjaftueshëm. Pra hap i yni është që të gjitha kyçjet ilegale të hiqen dhe të mos ketë kyçje ilegale pasi ato na dëmtojnë”.
KUR “Prishtina” ka 532 punëtorë; ka 138 221 konsumatorë dhe shërben mbi 500 000 qytetarë. 97% e konsumatorëve kanë orëmatës; inkasimi është 85 %, kurse 57% e ujit nuk faturohet fare.