LUGINA KËRKON TË PËRFSHIHET NË BISEDIME

Përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës kërkojnë përfshirjen e tyre në dialogun e ardhshme që pritet të zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë, njëkohësisht kërkojnë ndihmën e Kosovës dhe Shqipërisë, pasi që konsiderojnë se Lugina e Preshevës ka mbetur peng i raporteve të acaruara mes Serbisë dhe Kosovës dhe pa një normalizim të këtyre raporteve gjendja atje do të jetë e brishtë dhe e papërballueshme.

Delegacioni nga Lugina e Preshevës këto vlerësime i ka bërë të dituar pas takimit që kanë pasur me presidentin e Shqipërisë Bujar Nishanin, me ç’rast e kanë njoftuar me rrjedhën dhe situatën aktuale politike, ekonomike, sociale, që mbretëron në Luginë të Preshevës.

Galip Beqiri, kryetar i Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare në Bujanoc, ka thënë se vullneti i Luginës së Preshevës është që të përfshihet në procesin e dialogut, i cili pritet të zhvillohet mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Ne kemi vullnet dhe dëshirë që të jemi pjesë e bisedimeve, por ju e dini se nuk varet prej neve. Por, ne vazhdimisht kërkojmë që të jemi pjesë e bisedimeve dhe e cekum atë pikën e reciprocitetin, që nëse janë pjesë e bisedimeve serbët që jetojnë në Kosovë, pse mos të jemi edhe ne pjesë e bisedimeve”, ka thënë ai.

Ndërkohë që përveç kërkesës për dialogë, përfaqësuesit e Luginës së Preshevës kanë edhe kërkesa tjera.

Rizah Halimi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë, ka kërkuar nga autoritetet shqiptare dhe ato kosovare ndihmë, pasi që konsideron se gjendja në këtë rajon po bëhet e paqëndrueshme.

“Shpresoj që takime të këtij niveli të kemi edhe me nivelin më të lartë shtetëror edhe në Kosovë. Situata në Luginë është e tillë që ka nevojë për ndihmë edhe nga Shqipëria edhe nga Kosova. Ajo që e kemi në fushën e Arsimit të Lartë duhet të zgjerohet në të gjitha sferat jetësore, me që prej luftës Lugina e Preshevës është peng i raporteve të acaruara mes Serbisë dhe Kosovës dhe pa një normalizim të këtyre raporteve gjendja atje do të jetë jo normale, me migracione të theksuara, me një situatë kur Medvegja është para një spastrimi etnik”, ka thënë ai.

Halimi, më tej ka shtuar se është e domosdoshme të krijohet një linjë e koordinuar edhe e qeverisë së Shqipërisë, por edhe asaj të Kosovës sa i përket çështjes së Luginës së Preshevës, në mënyrë që situata atje të shkon drejtë normalizimit.kohaislame

Artikulli paraprakSakicë mbi gruan
Artikulli vijuesTRI KUSHTET E BE-SË PËR SERBINË