Manifestim në Kumanovë me rastin e diplomimit së hafizit të ri, Hamza Llukman Neziri

Në prezencën Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema h.Sulejman ef.Rexhepi, Muftiut të Muftinisë së Tetovës, Prof.Dr.Qani ef.Nesimi, Muftiu i Muftinisë së Gostivarit, Shaqir ef.Fetahu, Muftiu i Muftinisë së Kërçovës Murat ef.Husejni si dhe, Kryeimami i Muftinisë së Shkupit, Mevludin ef.Aliu si dhe mysafirëve nga R. e Shqipërisë, R e Kosovës, Lugina e Preshevës dhe nga R. e Turqisë, si dhe hoxhallarë nga gjithë tereni i Kumanovës dhe nga të gjitha trojet tjera shqiptare.

Të pranishmëve me fjalë përshëndetëse iu drejtua Muftiu i Muftinisë së Kumanovës, Abedin ef.Imeri, i cili në fillim përshëndeti Kryetarin e BFI-së, Reisul Ulema h.Sulejman ef.Rexhepi dhe e falënderoi për prezencën e tij në këtë manifestim solemn dhe të gjithë të pranishmëve u dëshiroi mirëseardhje, duke lutur Allahun që t`i shpërblejë me të mirat e Tij të pafund. Ai në vazhdim tha se Muftinia e Kumanovës u pasurua edhe me një hafiz të ri, përhajr i qoftë familjes së tij dhe lus Allahun që ta ruajë nga çdo e ligë. Të pranishmit i përshëndeti edhe Kryetari i Bashkësisë Islame të Gjakovës, Ahmet Hoxha dhe përfaqësuesi nga Lugina e Preshevës, Imami i Xhamisë së Bujanocit, Ulvi ef. Fejzullahu.
Në vazhdim të pranishmit i përshëndeti prindi i hafizit, Llukman ef.Neziri dhe në fund fjalën e rastit e mbajti Kryetari i BFI-së, Reisul Ulema h.Sulejman ef.Rexhepi, i cili tha: Sot Bashkësia Fetare Islame në RM u pasurua edhe me një ushtar të Kur`anit, hafizin e ri Hamza Neziri, prindi i të cilit, hoxhë Llukmani nuk ka pasur djalë tepër për ta shkolluar në këtë drejtim, por dëshira e tyre e flaktë, e ka bërë që ai ta dërgojë birin e tij në Gjakovë për ta mësuar Kur`anin përmendësh. Lus Allahun që hafizit të ri t`i japë shëndet dhe suksese në të ardhmen, urime hafizit dhe familjes së tij, Zoti ju bekoftë.
Në fund të programit, hafizi i ri i lexoi suret e shkurtëra, ndërsa duanë e hifzit e bëri Muftiu i Muftinisë së Gostivarit, Shaqir ef.Fetahu.
Artikulli paraprakTronditet Kumanova, një vajzë 22 vjeçare varr veten me litar
Artikulli vijuesVetëhelmohet 28 vjeçarja nga Çegrani i Gostivarit