Para pak çastesh në qytetin e Kriva Pallankës persona të panjohur kanë sulmuar mesxhidin duke e demoluar, vend ky ku myslimanët e këtij qyteti kryenin ritet fetare.
Policia ka dalë në vendngjarje dhe po heton rastin. Ndërkohë që edhe një ekip i BFI-së është nisur për në Myftininë e Kumanovës për të shqyrtuar rastin në fjalë, ngase objekti bie nën Myftininë e Kumanovës. Ky akt vandal erdhi pas protestës që u mbajtë gjatë ditës së djeshme me moton: “Stop Islamizimit të Kriva Pallankës”.
Shënim: “Për këtë qytet të vogël E. Çelebiu jep të dhëna me të cilat dëshmohet se ekzistonte vakëfi i Bajram Pashës, ndërsa sipas burimeve tjera, që kanë të bëjnë me një vakëfname të vitit 1746 shihet se në qytet kishte një xhami në të cilën përveç muteveliut kishte edhe imam, hatib, mujezin, gjegjësisht këta tre të fundit për punën e tyre në xhami merrnin nga 4 akçe në ditë. Përveç xhamisë së “Bajram Pashës” përmenden edhe 3 xhami, një teqe e rendit nakshibendin, një han dhe një hamam.”
(Vakëfet në Maqedoni në periudhën osmane, “NuN” Shkup, 2006)