Jeta në Republikën e Maqedonisë është më e shtrenjtë se në Evropë. Çmimet për çdo ditë rriten, ndërsa pagat kanë ngelur në vend. Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror për Statistika, në Maqedoni brenda gjashtë viteve të fundit rroga mesatare është rritur vetëm për 759 denar.
Pagat mesatare në Evropë dallojnë shumë prej atyre në Maqedoni. Sipas analistëve politik, kjo gjë ndodh për shkak të dështimeve politike të politikanëve që drejtojnë me shtetin e të cilët në të gjitha fushat kanë mangësi dhe e kanë sjell shtetin përpara një kolapsi ekonomik.
Zenun Ismaili, këshilltar komunal nga radhët e RDK-së në Komunën e Kumanovës, për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal theksoi se Maqedonia gjendet para një kolapsi ekonomik. Sipas tij, Maqedonia mund ta ndryshoje statusin e pagave, vetëm nëse me ngulm sulmon korrupsionin dhe të investon në ekonomi.
“ Maqedonia gjendet para një kolapsi ekonomik dhe financiar. Këtë gjë e paralajmëruan edhe ministri i financave Zoran Stavrevski i cili deklaroi se pa marr kredi e kemi të vështirë që të arrijmë t`i paguajmë pagat dhe pensionet, edhe zëvendës ministri i financave Kire Naumov, i cili theksoi se Maqedoninë do ta gjeje fati i njëjtë si Greqinë. Po ashtu edhe guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë para disa kohësh deklaroi për restrikcionet e kësaj banke rreth dhënies së kredive konsumatore nga vështirësimi për kthimin e tyre.
Nuk ka dyshim se në Evropë, standardi është i lartë për shkak të organizimit të punës mbi principe të drejtësisë dhe menaxhimit të drejt me burimet njerëzore. Mendoj se Maqedonia për të arritur një standard të ngjashëm me atë të Bashkimit Evropian sa i përket pagave, duhet që të bëjë sa më shumë investime në ekonomi, ta forcoje ekonominë e tregut dhe të marr model shtetet si Turqia dhe Kroacia të cilat u ngritën ekonomikisht për një kohë të shkurtër. Rroga mesatare në Kroaci është 900 euro. Rroga mesatare edhe në Bosnje e Hercegovinë e cila përballet ende me problemet e shtetësimit të saj është më e lartë se ajo e Maqedonisë.”, deklaroi Ismaili për Zhurnal.
Ai shtoi se lirimi i ekonomisë prej trysnive të politikës dhe caktimi i politikave monetare dhe kreditore do të ishin në favorin e zhvillimit ekonomik të vendit.
“Lirimi i ekonomisë prej trysnive të politikës dhe caktimi i politikave monetare dhe kreditore që do të ishin në favorin e zhvillimit ekonomik ndikojnë shumë në mirëqenien ekonomike në vendit. Po ashtu, edhe korrupsioni është një problem në veti, i cili duhet që të luftohet me të gjitha masat e mundshme”, deklaroi Ismaili për Zhurnal.
Në anën tjetër, Afrim Gashi, njëri prej themeluesve të Lëvizjes Besa, në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal sqaroi se Maqedonia nuk është tani më një shtet funksional.
“Ky shtet siç e kemi tani nuk është funksional. Ai ka dështuar në të gjitha fushat, ndërsa aty ku ka kolabuar tërësisht është pikërisht ekonomia. Maqedonia është ndër vendet me varfëri më të madhe në Europë, një vend ku cilësia e jetës është nën çdo nivel, ndërsa të ardhurat mujore nuk i plotësojnë as kërkesat elementare për jetesë. “, deklaroi Gashi për Zhurnal.
Sipas tij, qeveria nuk duhet që të bëjë ndonjë masë të veçantë jashtëtokësore, por mjafton që të ndërmerren masat që i kanë marr shtetet që kanë arritur një zhvillim solid ekonomik.
“Ajo që qeveria duhet ta bëjë nuk është ndonjë masë e veçantë jashtëtokësore, por mjafton të ndërmerren masat që i kanë marrë shtetet që e kanë arritur një zhvillim solid ekonomik. Elitat politike dhe ato pushtetare duhet ta kuptojë se pa pasur një shtet ku sundon ligji, ku luftohet korrupsioni dhe kriminaliteti, nuk mund të arrijë të zhvillohet në asnjë mënyrë. Është marrëzi të bësh veprime të njëjta dhe të presësh rezultate tjera.
Ata që pretendojnë ta përmirësojnë gjendjen ekonomike në vend duhet ta kenë të qartë se pa u vendosur drejtësia në vend dhe pa u luftuar korrupsioni me të gjitha mjetet e nevojshme, nuk ka investime, nuk ka zhvillim ekonomik dhe nuk ka standard normal të jetesës.”, deklaroi Gashi për Zhurnal.
Përndryshe, në Maqedoni ekziston një ngecje e zhvillimit ekonomik ku qytetarët edhe pse janë në punë, kanë vështirësi për t`ia çuar deri në fund të muajit. Nëse i ndodh atyre ndonjë problem shëndetësor, do të detyroheshin që të futen borxh për t`u kuruar.