“Marrëveshja Swiss Diamond”| Plani sekret i bosëve të sigurimeve

0
644

Behgjet Pacolli, Ekrem Lluka e Bujar Musa bashkë me bosët e tjerë të sigurimeve në Kosovë me 11 dhjetor të vitit 2016 janë mbledhë në hotelin “Swiss Diamond” për të marrë një vendim të rëndësishëm.

Me një marrëveshje të fshehtë në këtë takim ata kanë vendosur monopolin në tregun e sigurimeve në Kosovë.

Janë marrë vesh që t’i fiksojnë çmimet në tregun e sigurimeve.

Marrëveshja, një kopje të te cilës e ka siguruar Gazeta Fjala, përmban 7 pika dhe është nënshkruar nga Behgjet Pacollit në emër të kompanisë “Siguria”, Ekrem Lluka në emër të “Dukagjinit”, Bujar Musa, në emër të “Sacardian”, “Hashim Deshishku” për “Sigkos”, Avni Ponari në emër të “Sigal Uniqua”, Kadri Morinaj në emër të “Insig” e “Erurosig”, Roland Kacani për “Sigma”, Lulzim Tafa për “Prisig”, Agim Elshani për “Elsig” dhe Serafetin Ismajl Kirpikli në emër të “Kosovës së Re”.

Tash e tutje, shitja e policave të sigurimit për sigurimin e detyrueshëm nga autorpërgjegjësia, do të jetë në bazë të çmimeve fikse dhe e njejtë tek secila kompani.

Ato janë marrë vesh që komisioni për ndërmjetesuesit e sigurimeve të jetë 10 për qind, ndërsa janë fiksuar edhe shpenzimet që do t’i kenë pikat e shitjes së sigurimit të detyrueshme nëpër Kosovë.

“Ne pajtohemi se prej sot për shitjen e policave të detyrueshme nga agjentët e jashtëm dhe të brendshëm do të paguhet 10 për qind bruto përfshirë taksat nga primi neto pa TVSH. Shpenzimet shtesë për shitjën nuk do të përfshihen në këtë llogari. Kjo do të aplikohet mënjehrë dhe do të zgjasë deri në implementimin e rregullorës për krijimin e Brokerit nga Banka për shitje të tilla”, thuhet në pikën 7 të kësaj marrëveshje, të cilën e posedon Gazeta Fjala.

Kjo i bie që tash e tutje qytetarët nuk do të kenë mundësi të zgjedhjes në bazë të çmimit kur do t’i regjistrojnë veturat. Çmimi për sigurimin e veturës do të jetë i njëjtë tek të gjitha kompanitë.

Ndërkaq, deri në këtë marrëveshje komisioni për ndërmjetësuesit e sigurimeve ka qenë 40 për qind, çka ka lejuar një lloj konkurrence mes kompanive.

Gazeta Fjala merr vesh se krejt kjo është bërë me qëllim që kompanitë të ndihmojnë njëra tjetrën për të mbetur në treg, pasi po kalojnë një fazë të rëndë financiare.

2mm

Ndikimi i Bujar Musës në BQK

Gazeta Fjala ka siguruar dokumente që dëshmojnë se krejt kjo punë është bërë nën dijenin e zurtarëve të Bankës Qendrore të Kosovës. Madje, janë caktuar edhe njerëzit që do të negocionin me zyrtarët e BQK-së për nxjerrjen e rregullorës se re të përshtatur sipas pikave të marrëveshjes.

Në pikën 3 të marrëveshjës së arritur në Hotelin “Swiss Diamond” figuron emri i Bujar Musës, pronar i kompanisë së sigurimeve “Scardian”, si përfaqësues i kompanive me rastin e nxjerrjës së rregullores nga BQK.

Musa është njëri nga pronarët në IPKO dhe njihet si i afërt me Partinë Demokratike të Kosovës. Së fundi ai është pronar edhe në kompaninë me të re të sigurimeve “Scardian”.

Aty po ashtu jepen detaje sesi duhet të veprojë Musa në raport me zyrtarët e BQK-së. Madje thuhet që duhet siguruar që çdo gjë të jetë në përputhje me këtë marrëveshje.

“Ne pajtohemi që procesi i implementimit të rregullores për vendimet e këtij takimi të bëhet nga z.Bujar Musa me Bankën Qendrore të Kosovës. Ne gjithashtu pajtohemi që në rregullore të vendosen kritere dhe kushte nga BQK për rregullimin e tregut të përgjithshëm të sigurimeve në Kosovë. Kërkojmë nga BQK të përcaktoj kritere objektive dhe të matshme me të cilat do të përcaktohen rregullat e tregut në të ardhmen”, thotë pika 3 e marrëveshjes.

Nxjerrja e rregullorës së BQK-së në bazë të marrëveshjes të arritur në “Swiss Diamond”

Pas kësaj Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës është mbledhur urgjentisht me 4 janar 2017 për të hartuar rregulloren e rë në bazë të kërkesave të bosëve të sigurimeve. Mbledhja është mbajtur dy muaj pas takimit në “Swiss Diamond”.

Gazeta Fjala ka siguruar një kopje të rregullores së BQK-së, e cila është hartuar pikë për pikë bazuar në marrëveshjen e arritur mes krerëve të sigurimeve.

Kështu në nenin 3 të rregullores se BQK-së është përcaktuar që komisoni për ndërmjetësuesit në sigurime sa i përket produktit të sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia, të jetë 10 për qind. Kjo është e ngjashme me pikën 7 të marrëveshjes se arritur në “Swiss Diamond”.

Po ashtu, Rregullorja e re e BQK-së për shitjen e sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia, përmban çmime fikse edhe në rastin e shpenzimeve që do t’i kenë pikat e shitjes të sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia nëpër Kosovë.

“Në çdo rast komisionet dhe shpenzimet e pikave të shitjes të sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia nuk duhet të kalojnë 12 për qind të primit të paguar pas zbritjes së TVSH-së”, thuhet në nenin tre të rregullores së BQK-së.

33mm

“Marrëveshja Swiss Diamond” e jashtëligjshme

Për më tepër, Gazeta Fjala merr vesh se Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ka nxjerrë rregullore në bazë të një marrëveshje të pa mbeshtetur në asnjë rregullore apo dispozitë ligjore.

Çdo vendim i kompanive të sigurimeve për tregun e sigurimeve duhet të kalojë nëpër organet kompetente për këtë punë, që në këtë rast është Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve, që është organi më i lartë në Byron Kosovare të Sigurimeve. Në asamble janë të përfaqësuara të gjitha kompanitë me nga një anëtar dhe çdo vendim aty duhet të merret në bazë të 2/3 të votave të anëtarëve.

Ndërkohë, marrëveshja e “Swiss Diamond” nuk i ka kaluar asnjerën nga këto procedura ligjore. Ajo mban vetëm nënshkrimet e pronarëve të kompanive të sigurimeve.

“Asambleja e Përgjithshme vendos me shumicë absolute me 2/3 e votave të anëtarëve prezent, në rast të ndryshimeve statutore, miratimit të buxhetit, zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Adminstrativ dhe emërimin dhe shkarkimin Drejtorit Ekzekutiv”, thuhet në statutin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Detaje tjera të marrëveshjes

Më marrëveshjen e arritur në “Swiss Diamond” kompanitë e sigurimeve janë marr vesh edhe për çështje tjera, si ajo që ka të bëjë me ristrukturimin e Byros Kosovare të Sigurimeve, sigurimin kufitar dhe kalimi i disa kompetencave tek ndërmjetësuesit e sigurimeve të njohur si Broker.

Është vendosur që sigurimi kufitar t’i hiqet si kompetencë Byros Kosovare të Sigurimeve.

“Shitja e policave kufitare të organizohet nga një apo më shumë broker, apo në ndonjë proces të automatizuar të lëshimit të policave kufitare. Kjo do të përcaktohet me marrëveshjen e kompanive të sigurimit”, thuhet në pikën 4 të marrëveshjes.

Ristrikturimi i Byros Kosovare të Sigurimeve, përveç heqjes se sigurimit kufitar, “përfshin edhe nuk limitohet në marrjen e trajtimit dhe pagesave të demëve nga Byroja të lidhura me Fondin e garancisë dhe demët që rrjedhin nga policat kufitare”. /Gazeta Fjala/

11mm