Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 1 mijë eurosh me “Foto Gagi” për furnizim me 30 fotografi me kornizë të Presidentit Hashim Thaçi për nevoja të MBPZHR-së.
Në njoftimin e nënshkrimit të kontratës të publikuar nga Komisioni Rregullativ Publik, shkruan se tenderi për këtë çështje është hapur me datë 21 prill 2016, ndërkaq në po të njëjtën ditë është publikuar dhënia e kontratës e po ashtu është bërë edhe nënshkrimi i kësaj kontrate, transmeton Telegrafi.
Shtrohet pyetja se si ka mundur MBPZHR-ja që brenda një dite të hapë tenderin, të shqyrtojë ofertat nga kompanitë që kanë aplikuar për të fituar këtë tenderë, e pastaj të nënshkruaj kontratë në po të njëjtën ditë.
Në kapitullin e 6 të Ligjit për Prokurim Publik shkruan se: “Nga momenti kur merret vendimi për dhënie të kontratës fillon procedura e cila dërgon deri te nënshkrimi i kontratës. Kjo procedurë nënkupton: Përgatitjen, shpërndarjen dhe publikimin e njoftimit për dhënien e kontratës. Periudha e pritjes, minimum 3 ditë punë nga publikimi për dhënien e kontratës deri në momentin kur nënshkruhet kontrata- duke lënë mundësinë për ankesat e mundshme”.
Telegrafi ka tentuar të marrë përgjigje nga këshilltari politik i ministrit Memli Krasniqi, Shkëlzen Dragaj mirëpo ai nuk ka kthyer asgjë. Po ashtu Telegrafi ka mësuar se vëllai i Baton Gagices me të cilin është nënshkruar kontrata, Ramadan Gagica është pjesë e stafit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik e cila udhëhiqet nga Blerand Stavileci, i cili më parë ka qenë ministër i MBPZHR-së.
Më tej në njoftimin e nënshkrimit të kontratës thuhet se kjo kontratë do të zgjasë nga data 21.04.2016 deri më 04.05.2016. Po ashtu thuhet se vlera e përgjithshme e kontratës është 750 euro, ndërkaq tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët 750 euro kurse ai me çmimin më të lartë 840 euro.