Selman Aude
Dobia por dhe kënaqësia më bënë që të kaloj disa kohë me miqtë e mi në facebook dhe twitter. Jam mësuar tu postoj aksioma dhe thënie kuptimplota, të cilat shprehin përvoja kalimtare apo të thella të jetës, por mund të ndaj me miqtë e mi edhe ndonjë moment personal dhe njerëzor.
E gjitha kjo, nuk ka të bëjë me një ritual postimesh, pasi unë e shoh si një shkollë komunikimi ndërsocial, një përcjellje e përvojës njerëzore, një përmbushje të natyrës njerëzore për komunikim, një model dhe formë të ndryshme kulturimi dhe bisedimi. Të gjithë këtë e shoh edhe si një mënyrë për rritje të dozës së shpresës, optimizmit dhe pozitivitetit në jetë.
Procesi komunikues me një mik, vëlla, fqinj, koleg, bashkëshort/e… është pjesë e kësaj hapësire mediatike, produkt njerëzor dhe me ndikim shumë të thellë. Kur i presim lidhjet me njerëzit që na rrethojnë, futemi në një izolim mbytës dhe të frikshëm, ku na kafshojnë fantazmat e vdekjes edhe pse frymojmë dhe pulsojmë jetë. Ne nuk jemi ishuj të izoluar, as planete ndërhapësinore që ndjekin një trajektore të caktuar, larg njëri-tjetrit. Edhe ishujt dhe planetet, kanë lidhje mes tyre.
Bukuria e jetës është në kënaqësinë që të fal komunikimi. Gazetaria, radioja, televizori dhe më pas interneti, e kanë zgjeruar hapësirën e komunikimit lokal dhe ndërkombëtar. Tashmë djali dhe vajza kalojnë para ekranit, dyfishin e kohës që kalojnë në shkollë. Ndikimi është shumë i madh: Zëra, foto, ngjyra, emocione, kënaqësi, komunikimi me arsyen nëpërmjet bindjes, imitim, importim dhe eksportim të stileve të ndryshme të sjelljes dhe jetës së përditshme, nëpërmjet mekanizmave të reja si drama, programet e shumta…
Transformimi i thellë i ka mundësuar njeriut të thjeshtë të bëhet pjesë e sistemit mediatik. Tashmë media nuk është mesazh i njëanshëm, ku njëri dërgon dhe tjetri merr, pa pasur mundësi të zgjedhë. Sot zgjedhjet janë të shumta dhe vetë marrësi është pjesë e sistemit, ai është edhe marrës dhe dërgues njëkohësisht. Media e masave tashmë është përballë medias tradicionale e cila shprehte zërin e një shtrese apo subjekti. Republika e margjinalizuar, falë disa mekanizmave të thjeshtë të cilët nuk janë më shumë sesa një laptop, u ka lejuar miliona njerëzve të ngrenë zërin e tyre dhe ta thyejnë monopolin mediatik, duke ndryshuar shumë nga aksiomat tradicionale që kanë të bëjnë me pushtetin dhe opozitarizmin. Prandaj dhe revolucionet arabe u panë si shprehje e dëshirës së njerëzve dhe nuk u panë si përfaqësuese të një partie apo identiteti të caktuar. Madje, ato përfaqësonin të gjitha partitë, lëvizjet dhe të gjithë individët e thjeshtë. Falë tyre, tashmë u thye dhe koncepti i përjashtimit, qeveritar qoftë, opozitar apo i pavarur.
Është zëri i brendshëm i njerëzve, i cili shpreh ambiciet e tij të sotme, është po ai zë i brendshëm që shpreh ambiciet e tij të nesërme, e që mund të jenë krejt të ndryshme nga ato të sotmet. Ky transformim e shfuqizoi pushtetin e mbikëqyrjes. Media e re tashmë nuk varet nga humori i një ministri, apo kryeredaktori, por është vetë njeriu ai që mbikëqyr dhe kontrollon veten.
Thjeshtësia e këtyre mediave, spontaniteti dhe natyrshmëria, i ka bërë që të tërheqin shumë përdorues, pa pasur nevojë të njihen me pronarin e pushtetshëm të tyre, pa pasur nevojë për ndërmjetësi, tarafllëk dhe miqësi. Ndoshta, kredibiliteti i tyre qëndron tek fakti se janë larg çdo presioni, fija e të cilit nis tek mbështetësi, financuesi, themeluesi…
Media e re është media interaktive, lexon atë që mendojnë njerëzit, atë që dëshirojnë, kupton nevojat e tyre, kërkesat, ankesat… dhe bën çmos që tu dëgjohet zëri, larg ekzagjerimeve, injorimit, mbylljes së njërit sy dhe imponimit.
Kjo media mund të jetë progresive dhe edukative, ajo mund të shndërrohet në një mjet rilindjeje, sepse ajo të mundëson të perceptosh gjendjen e njerëzve. Ajo i ndihmon njerëzit që të ngrihen në nivele më të larta, u jep të drejtën e pjesëmarrjes, kritikës dhe shprehjes. Njeriu nuk është gur, as kafshë, as bimë të cilës mjafton ti sigurosh ujin, ajrin dhe ushqimin që të zhvillohet. Jo, aspak.. Njeriu është arsye që mendon, shpirt që ka ambicie, zemër që pulson, ëndrra të bukura mbi të ardhmen me të cilat u largohet dhimbjeve të së tashmes, njeriu është një qenie specifike dhe e ndryshme, një qenie e pazëvendësueshme. Ai ka vuajtjet e veta, vizionin, këndvështrimin e drejtë apo të gabuar qoftë. As babai, as burri, as partneri dhe as i dashuri, nuk mund të jetë një kopje tamam si origjinali.
Media e re i mundëson atij të hapë një llogari në facebook dhe të postojë, të shprehë mendimin e tij, të votojë pro apo kundër, të komentojë pro apo kundër, të publikojë vuajtjet e tij personale, të dëgjojë sugjerimet e të tjerëve dhe ta transmetojë lajmin, analizën dhe ngjarjen, fije për pe.
Stacionet ndërkombëtare të famshme, shpesh herë fokusohen tek imazhi apo historia e një kalimtari të thjeshtë për të tërhequr vëmendjen e publikut. Tashmë media nuk është mesazhi zyrtar që mbulohet me fraza vlerësuese, lëvdata dhe elozhe, nuk është një përmbajtje e caktuar që imponohet nga lart, por është ndërveprimtari, komunikim dhe dëgjim reciprok.
Media e re është një konkurrues i fortë, i lehtë, i lirë, i shpejtë, human… dhe përderisa media racionale nuk do i zhvillojë mekanizmat dhe idetë, shumë shpejt do i përkasë të shkuarës historike.
Mekanizmat tradicionale nuk do të jenë të suksesshme për ta ruajtur pozitën e vjetër. Kur qëllimi ynë është përhapja e vlerave, moraleve, virtyteve, drejtësisë, zhvillimit, shpirtit kreativ… kjo nuk mund të ndodhë duke qenë të shkëputur nga njerëzit për të cilët duam ti përhapim. Media nuk është për të kontrolluar njerëzit.
Përktheu: Elmaz Fida