Mediat serbe: Terroristi Adem Jasharin dhe terrori i UÇK-së!

Mediat serbe, përkatësisht portali serb Telegraf.rs, ka “përkujtuar” luftën e fundit në Kosovë – e cila sipas tyre ka rezultuar edhe me bombardimet nga NATO të ish Republikës Socialiste të Jugosllavisë.
Madje, sipas këtij mediumi, për pasojë të kësaj lufte, ka ndodhur edhe eksodi masiv i serbëve nga Kosova – duke “harruar” vrasjen, masakrimin, zhdukjen, deportimin…, e mijëra shqiptarëve, transmeton Telegrafi.
 
Ja si e përshkruan portali serb Telegraf.rs, fillimin e luftës së përgjakshme në Kosovë, përkatësisht luftën e komandantit legjendar, Adem Jashari.
 
Ky është përshkrimi që i bën luftës së UÇK-së dhe të Adem Jasharit portali serb: 
 
Para 17 vitesh në rajonin e Drenicës në fshatin Prekazi i Ulët, forcat serbe të sigurisë kanë sulmuar përfaqësuesit e UÇK-së dhe kanë vrarë liderin Adem Jashari. Kështu ka filluar lufta e përgjakshme në Kosovë, pas së cilës kanë pasuar bombardimet ndaj ish RSJ-së dhe eksodi masiv i serbëve nga krahina jugore!
 
Në agimin e 5 marsit të vitit 1998, grupi i terroristëve shqiptarë kanë sulmuar patrullën policore në fshatin Llaushë. Në këtë sulm janë plagosur dy policë me çka edhe policia ka filluar ndjekjet në Prekaz në rajonin e Drenicës. Me këtë ka filluar edhe lufta në Kosovë.
 
Të nesërmen, më 6 mars, si pjesë e kundërsulmeve, janë sulmuar lagjja në Prekaz të Ulët, ku ishte vendi i grupit terrorist të Jasharëve. Gjatë këtij aksioni, policia ka vrarë liderin e UÇK-së, Adem Jashari, vëllanë e tij, Hamzë Jasharin, si dhe shumicën e pjesëtarëve të UÇK-së.
 
Ky nuk ishte konflikti i parë ndërmjet grupit terrorist të Adem Jasharit dhe forcave serbe të sigurisë.
 
Herën e parë, Adem Jashari ishte rrethuar në fshatin Prekaz, më 30 dhjetor të vitit 1991 nga forca të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit.
 
Arsyeja ishte, lidhjet aktive të Jasharëve me sektorë të ushtrisë shqiptare dhe qëndrimeve të tij të shpeshta në Shqipëri për të kryer trajnimet për veprimtari terroriste.
 
Atëherë ai kishte mundur të arratisej, ku edhe kishin pasuar aksionet kundër policisë serbe. Ky grup ka qenë kryesori i terrorizmit në Kosovë gjatë viteve 1992 deri më 1997 dhe kishin ndihmë të drejtpërdrejtë nga qeveria në Shqipëri.
 
Grupi terrorist i Jasharëve fillimisht kishte realizuar sulmet ndërmjet kaçakëve dhe ballistëve. Fillimisht ata sulmet i kishin bërë në pritë e më vonë kanë filluar të përdorin edhe metoda të sofistikuara terroriste.
 
Për këtë, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, me nga 20 vite burg ishin dënuar Adem Jashari dhe grupi i tij, ndërkaq me 10 vite burg është dënuar edhe Hashim Thaçi. /Telegrafi/
Artikulli paraprakAvramopoulos: Kosova nuk e ka larg liberalizimin e vizave
Artikulli vijuesMinistrat e Jashtëm të Ligës Arabe bëjnë thirrje për rikthimin e legjitimitetit politik në Jemen