“Mein Kampf” i Hitlerit bëhet bestseller digjital

Ndërkohë që Gjermania merr masa kundër përhapjes së librit të Adolf Hitlerit “Mein Kampf”, botimet digjitale në anglisht të manifestit të Hitlerit tërheqin dhjetëra mijëra të interesuar në iTunes dhe Amazon Kindle.

Prej 70 vjetësh libri më kontrovers i Gjermanisë, “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit, nuk mund të sigurohet zyrtarisht. Por interneti është histori tjetër. Prej nëntorit 2012 vepra e famshme e Hitlerit mund të shkarkohet në formë digjitale në gjuhën angleze. Amazon.com e ofron librin elektronik (Ebook) për vetëm 73 cent (0,99 dollarë), në iTunes atë mund ta blesh për 2,20 euro (2,99 dollarë).

Kërkesa është e madhe. Gjatë muajve të fundit libri i Hitlerit është ngjitur në vendet e sipërme të listës së librave më të shitur të tregtarëve online dhe mund ta gjesh për shembull diku nga kreu në kategorinë e Amazon “Propagandë dhe psikologji politike”. Libri i Hitlerit u vlerësua madje me 3,8 yje nga pesë të mundshëm në faqen amerikane të internetit të Amazon. 354 komente kanë lënë lexuesit deri tani, ndër to edhe të tillë që e vlerësojnë librin dhe e cilësojnë si një “përkthim magjepsës”, apo të tjerë që mohojnë se shfarosja në masë dhe kampet e përqendrimit kanë ekzistuar ndonjëherë.

Vepra e Hitlerit e ndaluar në Gjermani
Libri i Hitlerit u publikua për herë të parë në 1925, një pjesë e dytë pasoi në 1926. Në të dy pjesët diktatori i mëvonshëm shpjegon ideologjinë e tij politike si dhe planet e tij për të ardhmen e Gjermanisë: një “rend të ri”. Në fund të Luftës II Botërore, vepra e tij ishte shumë e përhapur me mbi 10 milionë kopje.
Por përballë mizorive të Holokaustit, libri nuk publikohet më në Gjermani që prej vitit 1945. Pas vetëvrasjes së Hitlerit në 30 prill 1945, e gjithë pasuria e tij, përfshirë të drejtat mbi “Mein Kampf” i kaluan Shtetit të Lirë të Bavarisë, pasi atje ndodhej vendbanimi i fundit i regjistruar i Hitlerit.
Në marrëveshje me qeverinë federale gjermane, qeveria e landit të Bavarisë refuzon deri tani të lejojë përhapjen apo publikimin e librit në Gjermani. Të gjitha përpjekjet për të hedhur në tregun gjerman “Mein Kampf”, janë ndjekur penalisht nga shteti bavarez.
Por se çfarë ndodh me publikimin anglez të librit, shteti bavarez nuk mund ta ndikojë, pasi të drejtat për versionin anglisht të librit i janë shitur Britanisë së Madhe dhe SHBA-së para 1945-s.

Sukses digjital
Mundësia për të blerë një kopje anglisht të “Mein Kampf” nuk është pra asgjë e re. Por falë suksesit në rritje të dyqaneve online dhe tregtarëve të librit në internet, vepra e Hitlerit ndërkohë mund të merret edhe në formë digjitale dhe mund të shkarkohet fare lehtë përmes iTunes apo Amazon Kindle. Madje ekziston edhe një version anglisht falas; më shumë se 17 faqe interneti ofrojnë pjesë të përkthyera të librit ose versionin e plotë. Dhe kërkesa është në rritje.
Por nga vjen ky interes i papritur për librin e Hitlerit? Këtë pyetje i bëri vetes edhe gazetari Chris Faraone dhe nisi pak kohë më parë një debat në një artikull në faqen e internetit Vocative.com, në të cilën argumenton se kërkesa e papritur ka të bëjë thjesht me faktin që libri tashmë është disponibël në version digjital.
“Ndoshta shumë njerëz druheshin që ta merrnin librin me postë në shtëpi, ta vendosnin në raftin e librave apo të shiheshin nga të tjerë duke e lexuar atë në tren. Por sipas qindra komenteve të lexuesve në faqe të ndryshme interneti, lexuesit preferojnë ta lexojnë librin në heshtje, për ta fshehur më vonë në ndonjë dosje në kompjuter apo fshirë krejt”, shkruan Faraone në artikullin e tij.

Arsyet për kërkesën e madhe digjitale
Gerhard Weinberg është profesor në pension në Universitetin North Carolina dhe në 1961 publikoi librin e dytë të Hitlerit. 88-vjeçari, i cili në 1938 u largua nga Gjermania naziste mendon sa janë një numër faktorësh përgjegjës për suksesin e papritur të librit të Hitlerit në internet.
 
“Në radhë të parë ai ka të bëjë thjesht me kureshtjen. Për bashkëkohësit Hitleri është një figurë e së kaluarës për të cilën kanë dëgjuar shumë. Dhe tani papritur u jepet mundësia që për pak qindarka ose fare falas të lexojnë nga kompjuteri i tyre veprën e tij më të madhe dhe të rëndësishme”, shpjegon Weinberg në një intervistë me DW.
“Një faktor i dytë sipas mendimit tim mund të jetë që disa njerëz mendojnë se në shumë gjëra Hitleri ka pasur të drejtë. Dhe kjo tani është një rrugë për të zbuluar se çfarë mendonte ai në të vërtetë, pa u turpëruar para të tjerëve, që nuk ndajnë mendimin pozitiv për Hitlerin”, thotë Weinberg.

Ndalimi i librit nuk është zgjidhje
Ndalimi i librit në internet sipas Wenberg nuk është përgjigja e duhur për problemin. “Edhe nëse ka shqetësim se kështu mund të ringjallet ideologjia naziste dhe njerëzit ta pranojnë dhe ndjekin atë, jam i sigurt se nuk mund të ndalet duke e ndaluar librin në internet ose duke e bërë atë shumë të shtrenjtë”, thotë Weinberg.
Por Weinberg bën një përjashtim në rastin e Gjermanisë kur është fjala për ndalimin e librit: “Po e them kështu: kur dikush ka pasur një herë tuberkulozin është shumë e rëndësishme që të bëjë vizita mjekësore të rregullta për t’u siguruar që sëmundja nuk rishfaqet. Dhe mqs. në Gjermani janë një numër shumë i madh njerëzish që u sëmurën një herë me këtë lloj tuberkulozi politik (…), atëherë atje ndoshta duhet të bëhet më shumë kujdes se në vende të tjera”, thotë Weinberg.
Sidoqoftë Gjermania nuk i zbut as në epokën e elektronikës masat për librin. Në faqen gjermane të Amazon “Mein Kampf” nuk është e mundur të sigurohet. Gjithashtu librin nuk mund ta porosisësh as në faqet amerikane apo britanike nëse jep një adresë gjermane. Dhe libri nuk mund të shkarkohet as në një Kindle eReader, i cili është i regjistruar në Gjermani.
Por Dr. Richard Wetzell, bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Historik Gjerman në Uashington nuk e konsideron të arsyeshëm këtë kufizim të qasjes në internet për librin. Në vend të kësaj sipas tij duhej publikuar një version i librit, i pajisur me komente të historianëve, thotë Wetzell.
“Libri është një burim historik dhe duhej të ishte disponibël për publikun. Por natyrisht ekziston shqetësimi që shumë njerëz e lexojnë për motive të gabuara. Për këtë arsye është logjike që libri të vendoset në kontekst dhe të publikohet një version historik me komente kritike.”/dw

Artikulli paraprakKanibali i krishter në Afrikën Qendrore ka rrahur, djegur dhe ka ngrënë këmbën e një myslimani
Artikulli vijuesSamsung Galaxy S5 do të kontrollohet me gjeste?