Sa herë kemi menduar që Allahu nuk na do për shkak të sprovave që na qëllojnë, mirëpo, Allahu na dërgoi shembullin të cilin duhet imituar dhe shansin e krahasimit tonë me Muhammedin alejhis-selam, në nivele të ndryshme përmes së cilave kalojmë.
Deri sa lexojmë jetën e të Dërguarit alejhis-selam dhe i shikojmë vështirësitë përmes së cilave ka kaluar, ne mund të lidhemi me të edhe në nivelin personal. Mund të shohim si ka qenë si qenie njerëzore – atëherë kur të plagosej dhe kishte gjakderdhje, si gjendej në situata të vështira kur kishte dhimbje emocionale, por pa marrë parasysh të gjitha, ai vazhdoi rrugën e Allahut dhe iu përmbajt deri në cakun përfundimtar – arritjen e kënaqësisë së Allahut dhe Xhennetin.
Jeta e të Dërguarit alejhis-selam filloi me një sprovë të rëndë. Në këtë botë erdhi si jetim. Jo vetëm që në kuptim e përgjithshëm është rëndë, meqë mungesa e prindit mund të rezultojë me mungesën e vetëbesimit dhe padyshim të ndikoj në jetën e përditshme, por ishte aq ë rëndë nga shkaku i kulturës së rrethit ku lindi. Ai u rrit atje ku prejardhja ka domethënien e posaçme dhe vendi ku jetimët turpëroheshin. Çdokush që ka filluar jetën në mënyrë jo të pranueshme në aspektin kulturor, qoftë nga shkaku i invaliditetit ose çështjes së prejardhjes – ngushëlloheni me faktin se i dashuri jonë, Muhammedi alejhis-selam, ka kaluar vështirësitë sikur tuajat dhe se me Vullnetin e Allahut i tejkaloi.
Nëse e keni humbur njërin apo të dy prindërit? Krahasoheni me të Dërguarin alejhis-selam
Muhammedi alejhis-selam, në mënyrë energjike vazhdoi mëtutje. Pas vdekjes së gjyshit, kaloi të jeton tek axha i tij Ebu Talibi dhe vendosi lidhje të forta me të që do të jenë me rëndësi vitale në vitet e thirrjes së tij në Islam.
Kur i Dërguari i Allahut pranoi shpalljen dhe filloi t’i mësojë njerëzit rreth Islamit, u ballafaqua edhe
me një vështirësi të madhe. Anëtarët e familjes së tij e përqeshnin, fyenin dhe akuzonin si të marrë. Ata ishin njerëzit me të cilët dikur shoqërohej, ndante çastet e gëzimit; thjeshtë me ta bashkëjetonte.
Nëse e keni humbur fëmijën apo ju kanë thënë se nuk do të mund të keni fëmijë? Krahasoheni me të Dërguarin alejhis-selam
Në kohën e të Dërguarit alejhis-selam të kesh fëmijë mashkull kishte rëndësi thelbësore. Të kesh vajza ishte humbje e parave dhe turp. Prindërit varrosnin vashëzat e tyre për së gjalli, me shpresë që fëmija i ardhshëm të jetë mashkull.
Muhammedi alejhis-selam nuk pati fëmijë mashkull që mbijetoi fëmijërinë. Shoqëria ku ai jetonte nuk e simpatizonte dhe thërrisnin Abtar (shprehje të cilën arabët përdornin për personin pa trashëgimtarë mashkull, loza e të cilit ndërpritej). Paramendoni të keni fëmijë mashkull i cili për ju domethënë gjithçka dhe mandej duhet të ballafaqoheni me dhimbjen e brendshme për shkak të humbjes, por gjithashtu të ballafaqoheni me stigmën shoqërore dhe fjalët e tyre të rënda. Mirëpo, Ai përsëri vazhdoi.
A jeni akuzuar ju apo ndonjë i afërmi i juaj për diçka që nuk e keni kryer? A është njollosur emri juaj me thënie të pavërteta? Krahasoheni me të Dërguarin alejhis-selam
Deri sa Muhammedi alejhis-selam ishte në bashkëshortësi me nënën tonë, Aishen radijAllahu anha, ndodhi diçka e pakëndshme. Njeriu të cilin babai i Aishes e përmbajti dhe ndihmoi për çdo ditë, e akuzoi nënën tonë të dashur për mëkat të madh. Paramendoni që ndonjë person i preferuar t’ju akuzojë për amoralitet. U përhap lajmi rreth saj, ndjenjat dhëmbin dhe zemra ishte e shqetësuar. Në fund, pafajësia e saj u vërtetua me shpallje të drejtpërdrejtë nga Allahu i Madhëruar, ndërsa nderi i saj u rikthye.
A keni pasur ndonjë njeri për të cilin aq përzemërsisht keni dashur t’i kthehet Allahut, por nuk e pranoi Islamin sidoqoftë se sa shumë jeni munduar ta bindni? Krahasoheni me të Dërguarin alejhis-selam
Edhe një pikëllim i jetës së Muhammedit alejhis-selam ka qenë vdekja e personit shumë të dashur, axhës së tij. Nuk ishte vetë vdekje e pikëllueshme, por fakti se ai njeri ishte aq afër të Dërguarit, ndërsa ndërroi jetë pa mos e pranuar Islamin dhe para se t’i përkushtohej Allahut. Muhammedi alejhis-selam mundohej që ky ta pranoj Islamin, mirëpo krenaria dhe lidhshmëria e tij me fenë e paraardhësve nuk e lejoi ta dëshmon kelimei shehadetin para se të kthehet tek Allahu.
A ua kanë kthyer ndonjëherë shpinën ata të cilët i dashuroni dhe respektoni deri sa ju mundoheni t’u bëni mirë? Krahasoheni me të Dërguarin alejhis-selam
Poshtërimi, dëbimi, dhimbja fizike, përqeshja verbale dhe shumë dhimbje të tjera i janë shkaktuar Profeti alejhis-selam gjatë jetës, ndodhi të cilat mund të na lidhin me të.
Më lartë u theksuan disa shembuj të cilat i përjetoi gjatë jetës së tij, mirëpo ai gjithmonë vazhdoi dhe mbeti i qetë Qetësinë e tij të brendshme ia dhuroi Es-Selami, Ai që është paqe dhe jep paqe.
Shpesh herë mendojmë “Përjetova kaq shumë, por askush nuk më kupton, dhe askush nuk mund të më ndihmojë.” Mendoni edhe një herë, i Dërguari i Allahut alejhis-selam, përjetoi shumë gjëra, por mbeti i fortë. Me të Dërguarin mund të lidhemi përmes dhimbjeve të cilat kalojmë, mirëpo ai dinte kujt t’i drejtohej, i Drejtohej Allahut të Madhëruar.
Ngushëlloheni me faktin se i Dërguari i Allahut alejhis-selam është në lidhje me ju. Ndiqni rrugën e tij dhe drejtohuni të Vetmit i Cili mund t’ju sjellë paqe dhe të keni besim se vetëm ajo rrugë mund t’ua lehtësojë dhimbjen.
Shkroi: Rihab Ramadan
Përktheu: Lutfi Muaremi
(Islampress)