Mësimdhënësit me 500 euro pagë

Paga e mësimdhënësve që ligjërojnë në shkolla të mesme të Kosovës ka arritur mbi 500 euro në muaj.
 
Për çdo vit të shërbimit, mësimdhënësit që janë të punësuar në shkolla të mesme të Kosovës kanë filluar të marrin shtesat e përvojës së punës (0.5 për qindëshin), me pagën e qershorit. Shtesat e përvojës kanë dal edhe në konto të mësimdhënësve të nivelit fillor.
 
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka bërë të ditur se me pagesën e  muajit qershor është arritur të bëhen përmirësime në listën e pagave, në të cilat në muajin maj u vërejtën shumë gabime në llogaritjen e përvojës së punës tek mbi 90  për qind të punësuarve, duke mos iu llogaritur deri në 7 vite të përvojës së punës.
 
Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj thotë për “Zërin” se sipas raporteve të marra nga komunat janë bërë përmirësime në listat e pagave edhe me pagën e qershorit, mësimdhënësit kanë marrë dhe shtesat për përvojën e punës.
 
Megjithëkëtë, ai thotë se ka raste individuale ku gabimet nuk janë përmirësuar ende. “Kemi informacione dhe për raste individuale ku gabimi nuk është përmirësuar, mirëpo verifikimi dhe për këto raste do të vazhdojë që të kompensohen me pagën e korrikut”.
 
Sipas Jasharajt paga bazë në arsimin fillor për mësimdhënësit që është 405 euro, me shtesën e 0.5 për qind, që i bie të marrin nga 2 euro për vit, për një mësimdhënës që ka 20 vjet përvojë pune, paga i është shtuar për 40 euro më shumë.
 
Ndërsa në nivelin e mesëm ku paga bazë është më e lartë se në fillore, gjithsej 442 euro, edhe shtesa ai thotë se është më e lartë. “Në të mesmen në rastet e mësimdhënësve që kanë përvojë pune më të gjatë paga ka prekur dhe 500 euro”, thotë Jasharaj pa mohuar se paga e shumë mësimdhënësve sot mund të ketë kaluar dhe 500 euro. kohaislame
Artikulli paraprakShpend Qerimi: Revolja Sekiraqës iu vendos nga kolegët e mi
Artikulli vijuesIsa Mustafa e Fatmir Sejdiu me marrëveshje sekrete?!