Migrantët, të rrezikuar, për shkak të kushteve të këqija dhe motit të ftohtë

Një ditë tjetër e mjerimit dhe vuajtjes për mijëra emigrantë të bllokuar në kufirin grek me Maqedoninë. Ata kaluan natën në shi dhe baltë. Rreth 12 mijë persona, gra e fëmijë po jetojnë në kushte të tmerrshme në tendat e vendosura në mes-zonë. Tendat janë shndërruar në shtëpi, uji dhe I ftohti depërton nga të gjitha anët. Ushqimet dhe uji i pijshëm janë të pakta, ndërsa refugjatët e rraskapitur presin në radhë të gjata me orë të tëra për të marrë një supë të nxehtë. Organizatat e ndryshme humanitare alarmojnë se shumë persona, sidomos fëmijë vuajnë nga infeksionet respiratore, për shkak të tymit nga zjarret që digjen për t’u ngrohur. Greqia ka nisur tërheqjen e emigrantëve nga zona neutrale, por shumica e tyre refuzojnë të kthehen në Athinë, me shpresën se na samitin e 17 dhe 18 marsit BE do të vendos hapjen e serishme të kufijve.

“Këta njerëz po jetojnë në kushte të papërshtatshme, higjiena është në nivel shumë të ulët. Nga 10 mijë deri në 12 mijë persona, në mesin e të cilëve rreth 5 mijë fëmijë vazhdimisht janë të rrezikuar nga sëmundjet e ndryshme. Këta njerëz kanë nevojë për strehim. Ata duhet të vendosen sa më shpejtë të jetë e mundur nëpër kampe, me qëllim që të mos rritet rreziku për jetën e tyre”, tha Babar Baloch, zëdhënës i UNHCR-së.

Por refugjati nga Siria, i quajtur Alli thotë se nuk e ka ndërmend të braktis mes-zonën, pasi sipas tij në këtë mënyrë mund ta humb shansin për të mbërritur në Evropë.

“Nuk e di, jemi duke pritur tanimë një kohë të gjatë. Çdokush po prêt se ndoshta mund të hapet kufiri”, tha Alli, refugjat nga Siria.
Nga ana tjetër qendra Greke për kontrolle dhe parandalim të sëmundjeve ka njoftuar se është regjistruar rasti i parë i Hepatit A te refugjatët të cilët qëndrojnë në kampin Idomeni, në kufirin greko-maqedonas. Hepatit A është gjetur te një vajzë siriane 9 vjeçare, e cila është dërguar në shërim të mëtutjeshëm në Selanik, ku thuhet se gjendja e saj është e qëndrueshme. Rasti i 9-vjeçares ka bërë që Qendra të nisë një fushatë informimi për higjienë, dezinfektim tualetesh dhe përdorimi i ujit të pastër për pije.

Artikulli paraprakBDI-së, vendos për kryqin në Butel? (Dokument)
Artikulli vijuesRegjistrohet rasti i parë me Hepatit A te refugjatët sirianë në Maqedoni