Duket se të rinjtë, të sapodiplomuar ose jo, të gjendur përballë fatit që nga njëra anë, tregu i punës po rrudhet dita-ditës dhe nga ana tjetër, eksperienca u mungon, shohin si një alternativë të mirë kontratat e punës jashtë, ku ato në Emiratet e Bashkuara Arabe po lulëzojnë.
Sipas statistikave të një agjencie të punësimit “Europa Agency”, në të tria zyrat në rajon (Tiranë, Podgoricë, Prishtinë) bëhen 700-800 aplikime në javë. Nga këto, 500 janë aplikues nga Shqipëria.
Briseida Sinaj, 29 vjeçare, prej një viti jeton e punon në Dubai. Aplikoi për punë, pas një rekomandimi, direkt në një kompani angleze, Chris Garrod, e specializuar në arredimin e brendshëm të hoteleve. Pasi kompania e mori në telefon, realizoi intervistën, dha një provim dhe u punësua si asistente ekzekutive e drejtorit rajonal të Azisë dhe Lindjes së Mesme. Briseida shprehet mjaft e kënaqur me punën e saj, jo vetëm për të ardhurat, që janë disa herë më të larta se ato që merrte në Shqipëri si shefe buxheti, por dhe vlerësimi dhe mundësitë për të ecur në karrierë, pa pasur miq, siç ndodh rëndom në Shqipëri.
Ajo pohon se ka mjaft individë nga Shqipëria, që po vijnë në Dubai në kërkim të një alternative dhe pune më të paguar në atë që po quhet si Amerika e Lindjes dhe që vetëm vitet e fundit është “zbuluar” nga shqiptarët. Si pozitiv përmend edhe faktin që diploma shqiptare njihet në Dubai.
Të punësuarit janë nga mjekë e dentistë e deri tek kamarierë. Ata që vijnë përmes agjencive kanë një pagë mesatarisht 1000-1500 USD në muaj, nëse aplikon direkt tek një kompani, ka më shumë shanse për një pagë më të lartë. Është shumë e vështirë të marrësh pashaportë, apo letra qëndrimi, pasi jepen vetëm viza pune.
Moti është i nxehtë dhe tre muajt e verës ka pak kontakte me ajrin direkt; muajt e tjerë janë si vera në Shqipëri. Ndryshe nga perceptimi i krijuar për një vend mysliman, Briseida thotë se në Dubai femrat e huaja nuk janë të detyruara të mbulohen dhe mund të shohësh nga të gjitha. Megjithëse Dubai të jep mundësinë të kesh një jetë luksi, përsëri Shqipëria i mungon.