Mogherini: Bëni gjënë e duhur, miratoni reformën në drejtësi, silleni vendin në BE

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë të BE-së, Federica Mogherini me rastin e vizitës së saj zyrtare në Tiranë ka mbajtur mbrëmjen e sotme një fjalë përshëndetëse në kuvendin e Shqipërisë.

Pasi ka falënderuar shtetit shqiptar për pritjen, Mogherini është shprehur se ndihej e emocionuar, pasi siç tha, kjo ishte hera e parë që fliste në një kuvend kombëtar.

“Do ndjeni pak emocion në zërin tim, pasi veç parlamentit italian, ku kam shërbyer për 7 vjet, kjo është hera e parë që unë flas para një parlamenti kombëtar dhe kjo për mua është shumë veçantë”, tha Mogherini.

Duke e cilësuar reformën në drejtësi si më tërësoren dhe më të plotën të propozuar ndonjëherë, Mogherini iu është drejtuar përfaqësuesve politikë në Shqipëri që ta votojnë reformën, e cila sipas saj ka të bëjë ‘me barazinë për të gjithë shqiptarët që duan të trajtohen njësoj, ka të bëjë me ekonominë, kompanitë shqiptare, investitorët e huaj që duhet të kenë besim tek vendi juaj, por edhe me demokracinë’.

“Duhet reformë rrënjësore e gjyqësorit. Së pari kjo ka të bëjë me barazinë për të gjithë shqiptarët që duan të trajtohen njësoj, ka të bëjë me ekonominë, kompaninë, investitorët e huaj që duhet të kenë besim tek vendi juaj, por edhe me demokracinë. Suksesi i tyre do të varet vetëm tek idetë e mira dhe puna e madhe. Kjo reformë do të hapë rrugën për një rekomandim nga BE për të filluar negociatat. Është një nga reformat më të plota që është propozuar ndonjëherë. Puna e bërë nga ekspertët është mbresëlënëse, bëni gjënë e duhur, miratoni reformën, silleni vendin në BE.

E di që të gjitha palët duan që Shqipwria të ecë përpara, qytetarët presin këtë nga ju, ndaj bëjeni. Politika juaj vuan nga një mungesë e thellë e dialogut mes partive. Të pranosh kundërshtarin tënd politik është thelbësore për një demokraci, edhe pse kjo është shumë e vështirë. Ne në Itali për shumë kohë kemi vuajtur nga kjo gjë. duhet të dini se ka interesa që janë më kyçe se ato të partive tuaja, janë interesat e vendit”, tha Mogherini.

Artikulli paraprakInxhinierët e xhamive në Lindjen e Mesme, 500 vjet para shkencës moderne
Artikulli vijuesMaqedonia do të rimarrë 5 miliardë euro që janë nxjerrë ilegalish