Ndërhyrja ushtarake ruse në Siri, në mbështetje të Presidentit Bashar al-Assad, po bëhet gjithmonë e më e dukshme.
Ndërsa nga terreni mbërrijne lajme se, rebelët islamikë vazhdojnë avancimin në provincën verilindore të Idlibit, duke marrë nën kontroll edhe një pjesë të madhe të bazës ajrore të Abu al Dohurit, raportet në shtypin e huaj përmendin dërgimin e dy anijeve ruse për transportin e autoblindave dhe një mjeti ajror, si dhe nisjen e një ngarkese armësh për Damaskun.
Të gjitha këto lëvizje, Moska i justifikon me përpjekjet e përbashkëta ndaj kërcënimit terrorist, që – siç kujton ajo, – ka arritur përmasa të paprecenta në Siri e Irakun fqinj.
“Nëse kërkohen masa shtesë nga ana jonë, për të rritur mbështetjen në luftën kundër terrorizmit, atëherë kësaj çështjeje do t’i japim vëmendjen që meriton, të bazuar për çdo rast në të drejtën ndërkombëtare dhe në legjislacionin rus”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Lëvizja po komentohet gjerësisht si prova më e fundit e forcimit të pranisë ushtarake të Moskës në Siri, çfarë ngjall shumë nervozizëm në Uashington. Dy zyrtarë të lartë amerikanë folën për agjencinë e lajmeve “Reuters” në kushte anonimati, e shpjeguan se për Shtetet e Bashkuara, qëllimet e Moskës mbeten të paqarta.
Greqia, ndërkohë, i ka dhënë Rusisë autorizimin për fluturimin e avionëve me ndihma humanitare të nisura drejt Sirisë, ndërsa Bullgaria, që ia kishte mohuar këtë të drejtë në fillim, ka ndërruar mendje, duke njoftuar tashmë liri kalimi, edhe pse me kushtin që Moska të pranojë kontrollet e ngarkesave të saj gjatë ndalesës në këtë vend.
Uashingtoni iu kishte kërkuar vendeve europiane të përfshira në këtë mes, t’ia mohonin Moskës një autorizim të tillë, me argumentin se rusët mund t’i përdornin fluturimet për t’i dërguar Bashar al-Assadit përforcime ushtarake./Top Channel