Muhamed Jashari: Shqiptarët nuk duan që aleati i natyrshëm i tyre, Turqia të zhytet në luftë civile

Për dallim nga bashkëbiseduesit dhe temat e politikës së brendshme të Maqedonisëe që janë trajtuar në kuadër të intervistave paraprake, kësaj rradhe në intervistën e Almakos “3 pyetje nga Mensur Krasniqi” është biseduar me politikologun dhe njëherit ndjekës i mirë i rrethanave të politikës ndërkombëtare në temë “zhvillimet e fundit në Turqi” , Muhamed Jasharin. Ai në kuadër të kësaj interviste ka sqaruar arsyet e dështimit të tentativës për grushtështet nga elita ushtarake e Turqisë, dallimin ndërmjet puçit ushtarak të turk me atë të Egjiptit para disa viteve, si dhe rëndësinë e një Turqie të fortë dhe stabile, diçka që i nevojitet botës dhe perëndimit përfshirë këtu edhe neve si shqiptarë.

Mensur Krasniqi: Para disa ditësh ishim dëshmitarë të një tentative për grushtështet nga ana e një grupi ushtarak të Turqisë? Ju si një ndjekës i politikës ndërkombëtare, a mund të na thoni pse pikërisht ushtria të ngritet kundër qeverisë?

Muhamed Jashari: Në rastin e Turqisë Grushtështeti apo Puçi ushtarak (coup d’etat), deri para disa viteve ka qenë një veprim i zakonshëm. Elitat ushtarake në këtë vend në pesë dekadat e fundit disa herë kanë marrë pushtetin, madje në rastin ekstrem vranë edhe kryeministrin. Ushtria pasi që kontrollon armatimin, forcat tokësore, marinën ose forcat ajrore, ia jep të drejtën vetes që të ndërhyjnë në jetën politike, shpeshherë kjo ka ndodh me vendet në zhvillim kështu duke çuar vendin gjer në vendosjen e një qeverie ushtarake. Në këtë mënyrë anëtarët e forcave të armatosura zëvendësojnë politikanët legjitim, kurse postet shtetërore caktohen në bazë të pozicionit të personit në komandën ushtarake. Turqia gjatë qeverisjes së kësaj klase politike arriti që ushtrinë ta kthejë nën autoritetin civil, në rastin e Turqisë kjo është një arritje e madhe, e bën atë një vend ngjashëm sikurse vendet me demokraci të mirëfilltë ku sundon ligji dhe e drejta. “Suksesi” eventual i puçistëve në Turqi, e shndërronte Turqinë në një “Egjipt të dytë”, ndoshta edhe në luftë civile. Vlerësoj se kjo është arsyeja kryesore pse miliona qytetarë dolën në rrugë për të kundërshtuar puçin dhe për të mbrojtur demokracinë.

Mensur Krasniqi: Cilat ishin arsyet pse grushtështeti u realizua me sukses në Egjipt, ndërsa dështoi në Turqi. Në anën tjetër si asnjëherë më parë në parlamentin turk kishim një qëndrim të përbashkët të të gjitha partive politike kundër puçit ushtarak. A nuk e kanë kundërshtarin e njëjtë si opozita ashtu edhe “puçistët”?

Muhamed Jashari: Duhet thënë se ky tentim puçi në Turqi, dallon për sa i përket Grushtështeteve të kaluara, kësaj radhe puçin tentuan ta kryejnë vetëm një pjesë e ushtrisë e jo gjithë ushtria. Kjo ngase hierarkia e lartë ushtarake e Turqisë tanimë ka vite që i është nënshtruar qeverisjes civile. Puçin ushtarak në Egjipt nuk e kryen personat me pozicion të ulët, por Ministri i Mbrojtjes. Në Egjipt, Abdulfetah el-Sisi gjatë leximit të deklaratës për vendosjen e qeverisë ushtarake rreth vetes kishte gjeneralët pra, hierarkinë e lartë të armatës, figurat kyçe të opozitës dhe autoritetet fetare. Në Turqi të gjitha partitë politike, autoritet fetare, kurdët madje edhe organizatat civile u rreshtuan në krahë të qeverisë dhe kërkuan vazhdimin e qeverisë legjitime/demokratike. Ajo që është më e rëndësishme, në Turqi populli sfidoi puçistët dhe kështu vërshoi rrugët e Stambollit.
Fotoja e lokes me dru në duar që qarkulloi në rrjetet sociale është më shumë sesa një foto. Ajo me siguri në memorien e saj ka të pashlyer kujtimet që ka përjetuar populli nga Grushtështetet e kaluara. Ajo i tregoi botës se pavarësisht moshës që ka do të mbron qeverinë e dalë nga populli, demokracinë e lirinë dhe se do ta lufton deri në frymën e fundit formën më të egër të qeverisjes pra diktaturën dhe tiraninë ushtarake. Për dallim nga puçistët e Egjiptit, tentuesit për puç në Turqi nuk i mbështeti askush. Madje ata të cilët në Turqi më herët kritikonin qeverinë, qoftë nga opozita qoftë nga sektori civil tanimë e kishin të njohur se në rast realizimi eventual të puçit do të përballeshin më një regjim të egër diktatorial me përmasa katastrofale për kërkesat e tyre.

Mensur Krasniqi: Dhe pyetja e fundit, pse kaq të ndikohet populli ynë nga ngjarjet e Turqisë.

Muhamed Jashari: Për ngjarjet në Turqi koshientë ishin thuajse të gjitha mediat prestigjioze në botë. Solidarizim me popullin turk treguan popujt mysliman të vendeve të ndryshme të botës. Intersant është se edhe qytetarët e Idlibit të cilët përjetojnë tmerret e luftës siriane dolën për të festuar dështimin e puçit ushtarak. Ndoshta kjo vjen si pasojë e asaj se në sytë e popujve mysliman Turqia përbën modelin e koekzistencës së Islamit me demokracinë dhe pluralizmin politik. Në rastin shqiptarë Turqia përbën një vend që shqiptarët kanë marrëdhënie të shkëlqyera politike, ekonomike, ushtarake, strategjike e kulturore. Gëzimi i shqiptarëve duke filluar nga kryeministri Rama për dështimin e puçit ushtarak në Turqi, nuk vjen si rezultat i fanatizmit turkoman, por për shkak se shqiptarët nuk duan që aleati i natyrshëm i tyre, vendi i cili renditet fuqia e dytë më e madhe ushtarake në NATO pas SHBA-së, të zhytet në kaos dhe në luftë civile. Puçi ushtarak në Turqi nuk do kishte konsekuenca vetëm për Turqinë por pa dyshim për NATO-n dhe UE-në. Kur kihen parasysh sfidat me të cilën ballafaqohet perëndimi sot, që nga lufta kundër terrorizmit, fluksi i emigrantëve në Mesdhe -krahun jugur të NATO-s, lufta civile në Siri, dhe kërcënimet ruse ne Evropën lindore (komunikata e Samitit të Varshavës), një Turqi e fuqishme dhe stabile i nevojitet botës dhe perëndimit përfshirë këtu edhe neve si shqiptarë. /Almakos

AddThis Sharing Buttons

14

Artikulli paraprakDëshmorin e parë e dhashë në mbrojtje të Sirisë dhe kurrë nuk do ta kurseja të dytin në mbrojtje të Turqisë
Artikulli vijuesTentativa për grushtet në Turqi, 103 gjeneralë dhe admiralë të arrestuar