Themelues i Qendrës Shqiptare Islame
në Bruksel
Mulla Hysen Latifi është një nga teologët e shquar të Kosovës, nga Gjilani. Ai kalon me sukses të gjitha hallkat e arsimit fetar në vend dhe në Kajro, duke përfunduar universitetin, Mulla Hyseni punoi rreth 18 vjet si profesor në Universitetete të Arabisë Saudite.
Ai ishte shfaqur gjithnjë i shqetësuar për fatet e atdheut të vet të cunguar, për Kosovën e tij të shumë vuajtur, malli për të cilën e përvëloi gjatë gjithë viteve.
Edhe kur transferohet imam në qendren Islamike në Belgjikë, Bruksel, ku edhe krijohet Bashkësia Muslimane Kulturore Shqiptare, Mulla Hyseni punon me një entuziazëm të jashtëzakonshëm, duke ligjëruar në gjuhën amtare shqipe, duke u bërë kështu edhe një propagandues i madh për njohjen e historisë së popullit tonë e të popujve të tjerë, duke ua transmetuar këto njohuri besimtarëve të të gjitha moshave.
Mulla Hyseni u shqua për punën e kualifikuar që zhvilloi me breznitë e reja në emigracion në edukimin fetar e atdhetar, me ndjenja të larta atdhetarie e humanizmi, duke u pergatitur plejada të rinjsh kundër asimilimit të huaj, që ishte një rrezik real dhe i drejtëpërdrejtë.
Mulla Hyseni, mësuesi i apasionuar i breznive shqiptare, në fushën fetare, historike e sociale, vdiq në Stamboll me 2 tetor 1993, në kulmin e mallit për të parë Kosovën e tij. Këtë mall, si për Kosovën dhe Tiranën Mulla Hyseni e ka shfaqur edhe shumë herë, duke e shoqëruar edhe me udhëtime të veçanta për të dy trevat e Atdheut të copëtuar.