Muslimanët dhe nacionalizmi shqiptar

Shqiptarët në të gjitha periudhat e historisë së tyre kanë qënë europianë dhe as kalimi në Islam nuk e ka ndryshuar këtë fakt e këtë orientim të tyre. E vërteta është që qëndrimi dyshues e paragjykues ndaj shqiptarëve me shumicë muslimane ka ardhur në drejtim të tyre dhe kundër tyre nga fqinjët ballkanikë dhe nga disa shtete europiane.

Pra, fjala ka qënë për një komb të përjashtuar, me qëllim që të zhduket nga faqja e dheut dhe që territoret e tij të uzurpoheshin nga fqinjët grabitqarë, e jo për një komb të larguar me dëshirë nga “familja ballkanike” (e cila nuk ka ekzistuar kurrë si e tillë) ose nga familja europiane.

Po të mos ishin shumica e muslimanëve shqiptarë me orientime, me sjellje e me veprime europiane, po qe se muslimanët shqiptarë do të hiqnin dorë nga shqiptarësia, në atë rast mund të mbetej një komunitet shumë i vockël të krishterësh shqiptarë, me diku treqind mijë frymë, i cili nuk do të mund të bëhej asnjëherë një komb dhe as të krijonte një shtet. Këto fakte nuk duhet të injorohen, por duhet të mbahet fort parasysh nga ata që synojnë ta njohin të vërtetën lidhur me kombin shqiptar dhe me nacionalizmin shqiptar, i cili edhe u farkëtua nga elita shqiptare muslimane dhe u konsolidua në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, e cila po ashtu ishte një fuqi europiane. Islamofobët e sotëm shqiptarë e mohojnë këtë të vërtetë, duke u nisur nga përpjekjet e tyre që të frenojnë idetë dhe veprimet e disa fraksioneve radikale në gjirin e muslimanëve shqiptarë. Por, kjo qasje është e gabueshme, sepse radikalët ushqehen pikërisht nga ajo gjendje e ndrydhjes së të vërtetës dhe përkatësisë islame të shumicës së shqiptarëve, për refuzimin e integrimit të tyre të plotë në strukturat shtetërore e kombëtare dhe për luftimin në bllok të çdo ideje që vjen nga kërkesat e muslimanëve shqiptarë. Radikalët janë maskuar në prapavijë të kësaj tendence, ankohen dhe luajnë rolin e viktimës, ndërsa në të vërtetë punojnë me ngulm për ta injektuar radikalizmin e tyre në shtresa sa më të gjëra të popullsisë muslimane, duke propaganduar se të gjithë janë të diskriminuar e të rrezikuar. Në rast se refuzimi brenda komunitetit bëhet pak më i qartë, ata kërcënojnë, shantazhojnë dhe ashtu e mbajnë presionin e lartë. Prandaj, rruga e vetme e suksesshme e luftimit të radikalizmit mbetet integrimi i plotë, promovimi i lirive dhe të drejtave të të gjithëve, por si vlerë që funksionon në një shoqëri të lirë e demokratike, e jo si një koncesion ndaj radikalëve. Shkurt, lufta kundër ekstremizmit nuk fitohet pa pjesëmarrjen në këtë luftë të shumicës së pjesëtarëve të fesë islame në gjirin e kombit shqiptar.

Islamofobët nuk mund ta fitojnë këtë luftë. Përkundrazi, ata me fjalët dhe me sjelljet e tyre agresive e ushqejnë radikalizmin. Pra, kjo ka të bëjë edhe me vlerësimet e tyre për të kaluarën historike. Fjala vjen, islamofobët shtiren sikur vuajnë nga dashuria e madhe për Europën e europeizmin, duke ua kundërvënë atyre Perandorinë Osmane, të cilët e cilësojnë si “aziatike” dhe Islamin po ashtu si “aziatik”. Por, këto janë alogjizma të tyre. Perandoria Osmane zuri këmbën e Perandorisë së Bizantit, e kishte selinë në të njëjtin vend dhe si e tillë ajo ishte europiane aq sa edhe Bizanti. Ndërsa, Islami është fe universale, e cila në Europë ka ardhur shumë shekuj para ardhjes së osmanëve dhe Perandorisë Osmane. Lulëzimi i Islamit në Spanjë e në Siçili ndodhi disa shekuj para se të vinte Perandoria Osmane në Ballkan. Mirëpo, edhe po të mos ishte kështu, prapë nuk mund të operohet me këso termash zhvlerësues për Islamin, sepse në atë rast do të shtroheshin pyetje  të kësaj natyre edhe për krishterimin: a lindi krishterimi në Europë apo në Lindje, a ishin Musai (Moisiu), Isai (Jezusi), Pali, Pjetri europiane apo “lindorë”? Por, me këso gjërash nuk merren njerëzit seriozë. Fatkeqësia është se islamofobët nuk janë njerëz seriozë, po njerëz shumë naivë, prandaj edhe shtojnë aso spekulimesh për Islamin, gjoja si fe lindore, me çka u japin një armë të fortë në duar pikërisht radikalëve islamikë, që janë në esencë antieuropianë e antishqiptarë njëherësh.

Për shkak të keqdashjes dhe naivitetit, islamofobët nuk e kuptojnë as të vërtetën e nacionalizmit shqiptar dhe nuk e njohin as parimin e tij, i cili që në krye të herës, u shpall si parim që do të realizonte unitetin ndërmjet njësisë politike dhe asaj kombëtare dhe ishte produkt i konsolidimit të një elite intelektuale e politike, e cila me shumicë ishte muslimane, po në të njëjtën kohë edhe europeiste. Pa europeizmin e shumicës së muslimanëve shqiptarë nuk do të rrënjosej kjo vlerë në mendësinë e kombit shqiptar.

Observer.al


(Kjo pjesë është shkëputur nga libri “Nacionalizmi shqiptar”, fq. 31-34 me të njëjtin autor.
Artikulli paraprakShtatëmbëdhjetë vjet rresht, na shanë, provuan t’na poshtërojnë, na persektutuan….
Artikulli vijuesFara e zezë, një ilaç profetik