Muslimanët e Kosovës, grumbullojnë ndihma për refugjatët nga Siria

Myslimanët e Kosovës kanë grumbulluar rreth 51 mijë euro në llogarinë që Bashkësia Islame ka hapur para disa javësh.
Këto mjete janë mbledhur nga xhemati mysliman, e që u dedikohen refugjatëve nga Siria që për të shpëtuar kokat e tyre kanë ikur nga shtëpitë dhe janë strehuar në shtetin turk.

Zyrtarë të BIK-ut thonë se aksioni do të përfundojë javën që vjen, e më pas paratë e mbledhura do t’u dërgohen refugjatëve në Turqi.
Përgjegjësi për çështje financiare për Kryesinë e Bashkësisë Islame, Kasim Gërguri, konfirmoi për Express se deri të premten që shkoi, në xhirollogarinë e hapur enkas për këto ndihma janë mbledhur mbi 51 mijë euro.
Gërguri tha se aksioni për mbledhjen e ndihmave do të vazhdojë edhe për pak ditë.
“Shumën e saktë do ta bëjmë publike brenda javës së ardhshme, por nga informatat që unë i kam, mund të them se ndihmat e kanë kaluar vlerën mbi pesëdhjetë mijë euro”, tha Gërguri për Express.
Në mesin e të ikurve nga dhuna e Qeverisë së Bashar al-Assadit, sipas BIK-ut, ka edhe shqiptarë./kohaislame

Artikulli paraprakMendimet negative, nxitëse të sëmundjeve
Artikulli vijuesBE-ja kërkon fillimin e dialogut