Myftiut Tërnava uron besimtarët për Fitër – Bajram

Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava uroi sot muslimanët dhe qytetarët e Kosovës për Fitër – Bajramin, që festohet të dielën.

“Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, të institucioneve të saj dhe në emrin tim personal i përgëzoj të gjithë besimtarët për përmbushjen e njërit prej obligimeve kryesore të fesë islame, agjërimit të muajit të Ramazanit, dhe t’iu urojë festën e Fitër – Bajramit, duke e lutur Allahun e Madhërishëm për mirëqenien, lumturinë dhe shëndetin tuaj”, thuhet pos tjerash në urimin e Tërnavës.

“Në këtë ditë feste e gëzimi, kërkoj nga ju, kudo që jeni, t’i ruani vlerat e virtytet tona fetare e kombëtare. E kemi për obligim që të angazhohemi, punojmë për një të ardhme sa më të mirë për vendin tonë, që fëmijëve tanë t’ju sigurojmë një jetë me dinjitet, një vend me perspektivë, një vend ashtu siç e dëshirojmë.

Kjo festë na gjen më të organizuar si shoqëri, më të konsoliduar si shtet, më të fuqishëm si komb e popull, kjo për faktin ngase sivjet jemi edhe në vitin jubilar të Pavarësisë së Shqipërisë, viti kur merr fund edhe pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës, andaj kemi shumë më shumë arsye të festojmë.

Duke ju përshëndetur e përgëzuar, më lejoni t’ju shpreh urimet dhe përgëzimet më të sinqerta të gjithë vëllezërve e motrave kudo që gjenden”, thuhet në urimin e kreut të BIK-ut./koha/kohaislame

Artikulli paraprakDezerton zëvendësi i Assad?
Artikulli vijuesClinton uron kosovarët për festën e Bajramit