Ndalimi i ngacmimit moral, për herë të parë në Kodin e Punës‏

Avokati i Popullit, Igli Totozani, vlerëson dhe përshëndet Kuvendin e Shqipërisë, Këshillin e Ministrave dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për përfshirjen e propozimeve të tij në Kodin e ri të Punës.

Në një komunikatë për media, Totozani thekson se projektligji ka sjellë risi sipas standardeve ndërkombëtare dhe në përputhje me konventat e ratifikuara nga vendi ynë.

Avokati i Popullit ka sugjeruar përfshirjen për herë të parë në Kodin e Punës të ndalimit të ngacmimit moral nga ana e punëdhënësit duke përfshirë disa garanci:

– Garantimi i sigurisë dhe i mbrojtjes së shëndetit mendor e fizik të punëmarrësve;
– Përfshirja e lajmëruesve (ëhitlebloëers) në rastet e identifikimit të ngacmimeve morale të punonjësve;
– Barra e provës i takon punëdhënësit që të provojë se veprimet e tij nuk kishin për qëllim ngacmimin moral;
– Garancitë e punonjësve që denoncojnë raste të tilla që të mos kenë penalitete ose largime nga puna ose veprime diskriminuese.

Të gjitha këto rekomandime janë përfshirë në nenin 32 me propozimet e Avokatit të Popullit si më poshtë:

– Punëdhënësi ka detyrimin të respektojë dhe të mbrojë në raportet e punës personalitetin e punëmarrësit, si dhe:
a) merr të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit mendor e fizik të punonjësve;

b) merr të gjitha masat e nevojshme për të ndaluar ngacmimin moral të kryer prej tij dhe nga punonjësit e tjerë, si dhe afishon dispozitat mbi ngacmimin moral dhe seksual dhe sanksionet përkatëse;

c) parandalon çdo qëndrim që cenon dinjitetin e punëmarrësit.

Punëdhënësi ndalohet të ngacmojë punëmarrësit me veprime të cilat kanë për qëllim ose sjellin si pasojë degradimin e kushteve të punës, në një shkallë të tillë që mund të çojë në cenimin e të drejtave dhe dinjitetit të personit, në dëmtimin e shëndetit të tij fizik ose mendor ose në dëmtimin e të ardhmes së tij profesionale.

Çdo person i cili identifikon ose merr informacion nga ndonjë punëmarrës që mund të ketë pasur cenim të të drejtave të tij/saj, sipas këtij neni, dhe në mënyrë të veçantë të shëndetit fizik dhe mendor ose lirisë personale, e cila nuk mund të justifikohet me përshkrimin e punës ose realizimin e objektivave të caktuar, duhet të sinjalizojë menjëherë punëdhënësin ose strukturat përkatëse, kur personi ndaj të cilit adresohet cenimi është vetë punëmarrësi.

Punëmarrësi që ankohet se është ngacmuar në një nga mënyrat e parashikuara në këtë dispozitë duhet të paraqesë fakte që provojnë ngacmimin e tij dhe më pas i takon personit ndaj të cilit adresohet ankesa të provojë se veprimet e tij/saj nuk kishin për qëllim ngacmimin, si dhe të tregojë elementet objektive të cilat nuk kanë të bëjnë me ngacmimin ose shqetësimin.

Punëmarrësi që ankohet se është ngacmuar në një nga mënyrat e parashikuara në këtë dispozitë ose sinjalizuesi i ngacmimeve nuk duhet të penalizohen për këtë arsye, të largohen nga puna, të diskriminohen ose të jenë viktimë e shqetësimeve seksuale dhe ngacmimeve.

Sugjerime dhe rekomandime të tjera nga Avokati i Popullit të pasqyruara në Kodin e ri të Punës janë:

– Përfshirja e “orientimit seksual dhe identitetit gjinor” si shkaqe për diskriminim;

– Kalimi i barrës së provës te punëdhënësi për rastet kur pretendohet se ka pasur diskriminim ose trajtim jo të barabartë;

– Përcaktimi i rasteve të shkeljeve disiplinore si pjesë e kontratës individuale.

Artikulli paraprakO.H El Hilal ndan 38 bursa për student të dalluar
Artikulli vijuesCila është arsyeja që ky shia u dënua me vdekje nga vetë shiat ?