Ndihmë për Suejbin, sëmundja e rrezikshme e ka lënë të paralizuar

Nuhi Limani ka dy fëmijë. Djali, Suejbi është shtatëmbëdhjet vjeçar dhe vuan nga një sëmundje “që nuk i gjendet zgjidhje”. Nuhiu ka bërë përpjekje maksimale që t’i gjejë ilaçin, por, fatkeqësisht, akoma nuk i gjen shërim. “Ka tre vite që përpiqem që të gjej ndonjë rrugë, por mjekët nuk na kushtojnë vëmendje”, thotë Nuhiu. Suejbi qëndron i shtrirë në divan. Ai rënkon. Dhimbjet e shoqërojnë ditë e natë. “Më dhemb kurrizi, nuk po mundem t’i përballoj vuajtjet”, thotë Suejbi.

Sytë e përlotur ia fshehin syzet që i ka vënë, por loti i rrëshqet në faqe. Gishtat e këmbës i janë shtrembëruar dhe nuk mund të çohet nga shtrati e të ec. Prindërit nuk kanë fuqi që ta ndihmojnë. Është vëllau. dy vjet më i madh, që e mban për krahu, bashkë me babain, për ta dërguar atje ku Suejbi ka nevojë. Ai ka vite që nuk ka dalë në oborr. “Ka patur një ndërhyrje në Turqi për shërimin e syve dhe kjo u mundësua fal një shoqate bamirëse”, tregon Nuhiu.

Ai fle e zgjohet me syzet. Të gjitha veprimet për të lëviz bëhen nga ndihma që i ofrojnë prindërit dhe vëllau. “Ka tre vite që është në këtë gjendje të vështirë dhe nuk gjendet ilaç shërues. E kanë diagnostifikuar sëmundjen e ashtuquajtur ‘hemidestoni’. Mjekët i kanë dhënë disa barna, të cilat gjenden vetëm jashtë shtetit. Përdor një bar, që e plogështon edhe më shumë”, thotë babai.

Një mjegull u është shfaqur prindërve, një dilemë që i brengos. Atyre askush nuk u ka ofruar ndihmë, përpos përpjekjes së Nuhiut, i cili punon me një makinë me mbishkrimin “taksi” dhe fitimin e shpenzon për fëmijët. Gjendja e keqësuar e të birit e shqetëson, prandaj ai ka ngritur zërin të tregojë se i biri ka vetëm 17 pranvera, se është i vetëdijshëm, se komunikon lirshëm me njerëzit. Problemi i vetëm është dhimbja e madhe që i është shfaqur djalit në shtyllën kurrizore, që gishtat e këmbës së majtë kanë marrë formën e një harku të thyer. Këto probleme e kanë shtrirë djalin e ri në shtrat.

“Dhimbja e tij është plagë për ne. Është i lodhur nga kjo gjendje. Sa herë e kam marrë në krah ta dërgoj në spital, atje ku besoj se do gjej shërim, por neurologu, traumatologu, neurokirurgu, ortopedi, vetëm se na drejtojnë te njëri tjetri dhe nuk na japin zgjidhje.”, thotë Nuhiu.

Prindërit kanë besim se me ndihmën që mund t’ua ofrojë shteti, djali i tyre i vogël do të shërohet. Do të mëkëmbet dhe do të ngjitet në rrugët e moshatarëve të tij, atje ku ëndrrat e tyre lulëzojnë, për të qenë të shëndetshëm, të suksesshëm në jetë. “Kam shokë, të cilët më vizitojnë”, thotë Suejbi. Kur flet për shokët e shoqet i hap sytë, duket se harron të gjithë dhimbjen që e ka kapluar në trupin e tij. Te kjo ëndërr e djalit, për t’u bashkuar me shokët, prindërit luftojnë për të qenë djali i tyre si gjithë të tjerët. Ata i janë përkulur Ministrisë së Shëndetësisë për ndihmë, që të bëjnë ata që mund të bëjnë për djalin. Mundimi i tre viteve nuk ka nxjerr rezultate, nuk kanë patur përkrahje, nuk janë rekomanduar nga asnjë mjek se si të shërohet djali i tyre. Prandaj, Nuhiu lufton për ta mbajtur në jetë djalin e vogël. Ai kërkon ndihmë për ta shëruar jashtë shteti, ku ekziston shpresa e vetme. /Delvina KËRLUKU

Artikulli paraprakQSA në Kumanovë realizoi projektin e Kurban Bajramit për vitin 2015
Artikulli vijuesKE frigon Maqedoninë me refugjatët?