Në qendër të diskutimeve të samitit ka qenë problematika në sistemin global të ndihmave dhe zgjidhjet që mund të ofrohen në lidhje me këtë
ANKARA (AA) – Në Samitin e parë Global të Ndihmave Humanitare i zhvilluar në Stamboll, morën pjesë rreth 55 krerë shtetesh. Në këtë samit ka patur 10 mijë pjesëmarrës nga 173 shtete, raporton Anadolu Agency (AA).
Në qendër të diskutimeve të samitit të organizuar me iniciativën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në datat 23 – 24, ka qenë problematika në sistemin global të ndihmave dhe zgjidhjet që mund të ofrohen në lidhje me këtë.
Samiti i cili filloi me fjalimet e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon ka vazhduar më pas me 7 tavolina të rrumbullakëta, 15 takime specifike dhe 120 aktivitete ndihmëse.
Sipas statistikave zyrtare të OKB-së në këtë samit morën pjesë 9 mijë persona nga 173 vende të botës. Duke vënë re që edhe nga Turqia kanë marrë pjesë rreth 1 mijë persona mund të themi që në këtë samit numri total i pjesëmarrësve ishte rreth 10 mijë. Samitin e ndoqën 900 gazetarë vendas dhe të huaj.
Pjesë e diskutimeve ishin temat, si problemi i migracionit, lufta, destabiliteti dhe mënyra e dërgimit të ndihmës ndaj personave të prekur nga këto kriza, ndërsa në fjalimet e mbajtura është folur me vlerësime të mëdha për punën që Turqia ka bërë për strehimin e rreth 3 milionë sirianëve.
Ndërkohë një nga temat më të diskutuara në këtë samit ishte dhe mënyra se si mund të jetë më efektive dërgimi i ndihmave humanitare ndaj personave në nevojë në të ardhmen.
“Nëse samiti do të jetë shkas për fillimin e një epokë të re në jetët e fëmijëve afrikanë, aziatikë, sirianë dhe irakianë, atëherë i’a ka arritur qëllimit”, është shprehur Presidenti i Turqisë, Erdoğan në fjalimet e tij duke uruar që të jetë një epokë ndryshimesh në kontekstin e mentalitetit.
Ndërsa Sekretari i OKB-së, Ban ka vënë theksin tek nevoja e përfshirjes së refugjatëve në jetën e rimëkëmbjes qytetare dhe kombëtare. Ai ka theksuar se në vitin 2050 në botë mund të ketë rreth 250 milion të zhvendosur dhe se përballë këtij fakti duhet të bëhen plane dhe të zhvillohen strategji.