Pas shumë vitesh spekulimi, vlerësimesh dhe parashikimesh, Byroja e Censusit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dha lajmin zyrtarisht: lindjet mes popullatës së bardhë në SHBA nuk janë më në maxhorancë.
Të bardhët johispanikë kontribuan në 49.2 për qind të të gjitha lindjeve në periudhën 12 mujore deri në korrik të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Byrosë së Censusit që u bënë publike këtë javë. Ndërkohë minoritetet – përfshirë hispanikët, zezakët, aziatikët dhe të përzjerët, qenë përgjegjës për 50.4 për qind të fëmijëve të lindur, duke qenë kështu në maxhorancë për herë të parë në historinë e vendit.
Ky ndryshim është pritur prej kohësh, por askush nuk qe i sigurtë se kur mund të ndodhte. Ky konsiderohet si një gur kyç në historinë e një kombi, qeveria e së cilit u themelua nga europianët e bardhë dhe ku çështjet e racës qenë shumë të rëndësishme nga koha e skllavërisë te lufta civile, betejat e ashpra për të drejtat e njeriut dhe së fundmi, debatet e zjarrta mbi përpjekjet për të kufizuar emigracionin.
Në tërësi, të bardhët do të mbeten maxhorancë edhe për disa kohë por brezi i ri që sapo lind do të ketë më shumë nga minoritetet. “Ky është një moment i rëndësishëm,” tha William H. Frey demograf në institutin Brookings duke e përshkruar ndryshimin si “transformim nga një kulturë më së shumti me bum fëmijësh të bardhë në një vend më të globalizuar dhe multietnik.”
Shenjat se ky vend po ndryshon në këtë drejtim fillojë nga Zyra Ovale dhe vijojnë te 348 konte që gjatë viteve të fundit kanë përjetuar kalimin e të bardhëve në minorancë. Por sipas demografëve, nëse shikohet raporti te brezat e rinj, atëhere vërehet se në mbi 700 konte të bardhët nuk do të jenë më në maxhorancë ndërsa katër shtete kanë përjetuar këtë transformim. SABRINA TAVERNISE, NYT./GSH