Në të gjithë botën minoriteti rom stigmatizohet dhe kriminalizohet

Në vende të ndryshme policia bën kontrolle dhe mediat raportojnë sipas disa pikëpamjesh të bazuara në “modele raciste”.

Historitë se ciganët apo çifutët rrëmbejnë fëmijë dhe i therin apo i përdorin për veprime kriminale është mjaft e lashtë, thotë historiani Wolfgang Benz. Edhe rasti i 4-vjeçares bullgare Maria që u gjet në një kamp romësh në Greqi ka bërë që tema e ciganëve të trajtohet sërish me fuqi në Evropë.

Frika e qytetarëve të BE-së nga shtimi i numrit të të huajve, ka riaktivizuar sërish qëndrimet armiqësore dhe stereotipet ndaj sintëve dhe romëve, tha Benz në një konferencë për shtyp të Këshillit Qendror të Sintive dhe Romëve të Gjermanisë të martën (05.11.2013) në Berlin. Në Gjermani thuhet p.sh. se ata nuk duan të integrohen dhe nuk u pëlqen civilizimi.

Akuzë: Mediat kanë nxitur racizmin
Në të gjithë Evropën dhe në tërë botën minoriteti rom stigmatizohet dhe kriminalizohet në përgjithësi, kritikoi kryetari i Këshillit Qendror të Sintive dhe Romëve në Gjermani, Romani Rose. Në Serbi disa persona kokërruar kanë sulmuar një familje rome. Në vende të ndryshme policia bën kontrolle dhe mediat raportojnë sipas disa pikëpamjesh të bazuara në “modele raciste”.

Ky është shkaku pse romët vuajnë si minoritet kudo në Evropë, tha ai. Në Gjermani, sipas vlerësimeve ka rreth 100.000 sinti dhe romë, kurse në BE rreth gjashtë milionë.
Rose kërkon nga politika sinjale më të qarta kundër anticiganizimit dhe armiqësisë ndaj sintëve dhe romëve. Ai kërkon që Bundestagu të ngrejë një komision ekspertësh për të “dokumentuar armiqësinë ndaj sintive dhe romëve në Gjermani” dhe ky raport t’i dorëzohet Bundestagut një herë në çdo periudhë legjislative.
Ai kërkoi që edhe tema e refugjatëve që vijnë në Gjermani për shkak të varfërisë, të mos diskutohet në kurriz të romëve, që shpesh trajtohen si kokë turku.

Më shumë ndihma për refugjatët e varfërisë
Para disa ditësh Rose kishte paralajmëruar në një intervistë me “Süddeutsche Zeitung” që në fokus të mos vihet “vetëm një pjesë e horizontit të romëve.” “Duhet bërë dallimi mes atyre që jetojnë në anonimitet dhe atyre që bëjnë një jetë normale në Gjermani”, thotë ai.
Në BE ka rreth gjashtë milionë sinti dhe romë
Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich kishte tërhequr më parë vëmendjen, pas vendimit të një gjykate, se qytetarët e BE-së që kanë kohë që jetojnë në Gjermani, kanë të drejtë për ndihmë sociale, në Gjermani mund të vijnë shumë të huaj.
Rose kërkoi që politika të bëjë më tepër për të zbutur problemet e refugjatëve prej varfërisë që vijnë nga Bullgaria dhe Rumania. Kurse Wolfgang Benz theksoi që mediat të bëjnë më shumë për të mënjanuar paragjykimet armiqësore në kokat e njerëzve./dw

Artikulli paraprakKëshilla kundër rënies së flokut dhe zbokthit
Artikulli vijuesSi t`i ruajmë pemët?