“Nesër fillon lufta e vërtetë në Maqedoni”

​Fillimi i një lufte në Maqedoni duket të jetë me interes për Serbinë. Gazetat kryesore të Beogradit, sot në ballinat e tyre, janë marrë me atë që ndodhi në Kumanovë, duke shkuar deri atje, sa të thonë se kanë informacione se lufta e vërtetë në Maqedoni do të fillojë më 12 maj (nesër), dhe se ajo po bëhet me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës
 
Gazeta serbe “Kurir” e cila njihet për afërsinë e saj me shërbimin sekret serb (BIA), në ballinën e saj shkruan se “Lufta e vërtetë fillon më 12 maj”. Ajo thirret në burime të saj dhe në deklaratat publike të pjesëtarëve të armatosur që morën pjesë në përleshjen e Kumanovës e që vetën po e quajnë UÇK, se lufta e vërtetë cila për qëllim ka krijimin e Shqipërisë së Madhe, fillon nesër.
 
Ndërsa, gazeta tjetër “Informer”, gjithashtu e njohur për afërsinë me pushtetin në Serbi, shkruan se shqiptarët që u përleshën me policinë maqedonase në Kumanovë këtë po e bëjnë me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe krejt kjo me qëllim pengimin e projektit rus të gazsjellësit i cili kalon përmes Turqisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë, për të dalë më pas në Evropën Perëndimore, transmeton lajmi.net.
 
Kjo gazetë e cila thirret në burime diplomatike shkruan se zyrtarët e inteligjencës amerikane u kanë dhënë sinjal anëtarëve të UÇK-së për të filluar sulmet.
 
“Ky sulm ishte mesazh që kishte për qëllim t’i dërgohej kryeministrit maqedonas Gruevski dhe homologut të tij serb Vuçiq. Mos harroni se në ditën e sulmit në Maqedoni, në Moskë ushtria serbe marshoi në paradë ushtarake bashkë me rusët”, citon kjo gazetë një prej ambasadorëve të Serbisë, të cilit nuk i përmend emrin.
 
Tutje “Inforemer” vazhdon me artikullin spekulativ duke shkruar se një ditë para se të fillonin sulmet në Kumanovë, Athina u vizitua nga një i dërguar i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit për çështjet e energjisë, i cili i kërkoi Greqisë të tërhiqet nga projekti rus i gazsjellësit që kalon nëpër Turqi, Greqi, Maqedoni, Serbi dhe kalon në Evropën Perëndimore./Mapo
Artikulli paraprakAhmeti, Gruevski e Mijalkov duhet të burgosen (Video)
Artikulli vijuesKush po e prish Maqedoninë?